![-640-0-rth555-1739560507](https://gazetajone.com/wp-content/uploads/2025/02/640-0-rth555-1739560507.png)
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar sot duke dënuar disa lajme të publikuara në media, me qëllim denigrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të GJKKO-së dhe SPAK-ut.
Nisur nga këto lajme, KLP kërkon që gazetarët t’i përmbahen etikës, duke mos cënuar dinjitetin njerëzor, të familjes dhe të jetës private të magjistratëve.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë vlerëson misionin e medias së pavarur për informimin e publikut, duke respektuar parimin e objektivitetit dhe atë të mos cenimit të dinjitetit njerëzor, të familjes dhe mbrojtjes së jetës private.
Me qëllim që të garantohet autoriteti dhe paanshmëria e sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i bashkohet qëndrimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor në mbështetje të të gjithë prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, lidhur me disa raportime mediatike që mund të rezultojnë në cenim të integritëtit dhe pavarësisë së tyre.
Etiketimet e përdorura, vlerësimet e njëanshme, pa shqyrtime të kujdesshme dhe objektive, siç e kërkon gazetaria profesionale, devijojnë raportimin e paanshëm dhe të balancuar nga media. Kjo mund të sjellë një informim jo-profesional dhe cenim të besimit të publikut tek drejtësia.
Drejtësia e pavarur dhe profesionale duhet të prevalojë në çdo rast, ndaj nxisim bashkëpunimin me median për një raportim të drejtë, të balancuar dhe të verifikuar.