Natën e kaluar nuk ka qenë aspak e qetë në Sarandë, ku forcat e Policisë kanë zbarkuar në aksion për zbardhjen e zhdukjes së 46-vjeçarëve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, ku prej 18 ditësh nuk ka asnjë gjurmë prej tyre. Aksioni i uniformave blu erdhi disa orë pas protestës së familjarëve të dy të zhdukurve tek komisariati i Policisë së Sarandës.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se Fatmir Sulovari dhe Leonard Thodhori, dyshohet se janë zbuluar në fshatin Vrinë, afër zonës së Butrintit në Konispol. Mësohet se ka indicie të forta se dy personat e rrembyer janë vrarë dhe trupat e tyre janë fshehur në fshatin Vrinë.
Mbrëmjen e djeshme, efektivët e FNSH-së rrethuan zonën e Vrinës dhe u shoqëruan në komisariatin e Sarandës dhjetëra persona.
Burime bëjnë me dije se mes personave të shoqëruar është dhe një individ që ka informacion mbi fatin e dy të zhdukurve Fatmir Sulovari i njohur si “Koçole” dhe Leonard Thodhori.
Mësohet se fillimisht ai ka treguar se dy të zhdukurit janë ekzekutuar në fshatin Vrinë. Por, rrëfimin e tij para policisë ai e ka ndërprerë, duke mos pranuar të tregojë vendin e saktë, ku janë fshehur trupat e pajetë.
Ndërkohë policia e Vlorës, ka mundur të zbulojë në fshatin Nivicë të Himarës dhe Benz-Mercedezin,që u përdor për marjen peng të njërit prej të zhdukurve, Fatmir Sulovarit. Mjeti është zbuluar në ambjentet e një magazinë, ndërkohë që ishte larë në lavazh dhe lyer i gjithi me bojë tjetër, e ndryshme nga ajo e para.
Një taktikë e përdorur nga autorët me qëllim që policia të mos kishte mundësi të binte në gjurmët e makinës dhemë pas të autorëve. Brenda në makinë përmes vëzhgimit me sy të lirë nga policia, nuk janë gjendur njolla gjaku. Ekspertë nga Tirana do të ekzaminojnë makinën për gjurmë biologjike dhe daktiloskopike.
Mendohet se dy të zhdukurit i kanë njohur rrëmbyesit, pasi në disa pamje filmike të lëvizjes së mjetit te tyre, dallohet Fatmir Sulovari teksa ndodhet i ulur në sediljen e parë duke mbajtur dorën në tavan. Nga pamjet filmike është e vështirë te dallohet shoferi dhe pasagjerët pas, por dihet qe targat e mjetit janë greke të vjedhura në Tiranë.
Shpresat e policisë dhe prokurorisë për gjetjen e trupave, janë tek bashkëpunimi i njërit prej personave që po mbahet i shoqëruar, i cili ka refuzuar të flasë megjithëse është një individ që ka informacion të detajuar.
Kush janë Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi?
Leonard Thodhori njihet ndryshe si “Koçole” dhe është dënuar disa herë. Ai ka qenë i dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003, “Koçole” ka qenë prezent në automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar me pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lendeve narkotike dhe i dyshuar si i përfshirë në trafik lëndësh narkotike.
Ndërsa, Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi ka qenë dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. Ai është arrestuar në prill të vitit 2022 në Lushnje, pasi në mjetin e tij “BMW” X5 u gjet një sasi kanabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.