Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka dhënë më shuëm detaje në lidhje me pagën shtesë që do të përfitojnë punonjësit e policisë për ushqimet që do të blejnë. Ai tha se këto para nuk bëhet fjalë të jepet në formë kuponi apo tolloni. Hoxha tha se në dispozicion janë vendosur rreth 110 mijë lekë të vjetra, që janë për ushqimin dhe do të kalojnë drejtpërdrejt në vlerë në konton e punonjësit të policisë.

“Ndjej përgjegjësinë të bëj një sqarim, po keqinterpretohet me një fjalë që u përmend disa herë. Kemi një pagesë rreth 110 mijë lekë të vjetra, që është për ushqimin dhe kalon drejtpërdrejt në vlerë në konton e punonjësit të policisë. Ajo që po keqinterpretohet është pjesa e operatorëve ku punonjësi do ti shpenzojë këto para, nuk bëhet fjalë të jepet në formë kuponi apo tolloni, kjo para shkon tek efektivi në konton e hapur për këtë qëllim. Mënyra se si një punonjës policie në Pukë apo Vaun e Dejës duhet të shkojë tek një operator për t’i shpenzuar ato para, kjo është ajo që duhet të shikojmë”, tha Hoxha.

Përfitimi që pritet të kenë punonjësit e policisë për 9 muaj, është rreth 90 mijë lekë të rinj. Norma e kompensimit ditor është 450 lekë, megjithatë ata do të paguhen në varësi të orëve të punës që kanë bërë gjatë kësaj periudhe dhjetor 2023 deri në gusht 2024.