Urdhër arresti i SPAK për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj ka shkaktuar një valë ‘të nëndheshme’ tensioni në Tiranë.
Ndërkohë që media është përqëndruar në dy-tre emra, duke ushqyer më së shumti luftën politike, shumica e emrave që rrezikojnë realisht ndjekjen penale, nuk janë vënë ende në fokus.
Por ata janë në dosje dhe ecuria e akuzës dhe urdhër-arresteve është ndërprerë vetëm përkohësisht në pritje të fashitjes së zhurmës politike mbi rastin.
Ajo që po qëndron paksa në hije për momentin është që dosja e Prokurorisë së Posaçme, prek veç z.Ahmetaj, një numër ish-zyrtarësh dhe biznesmenësh të njohur, të cilët kanë pritur mënyrën si do reagonte politikani i lartë.
Ish-zv.kryeministri zgjodhi të largohet nga vendi dhe disa prej atyre që përmenden në dosje, kanë bërë këto ditë, të njëjtën gjë. Por jo të gjithë.
Sipas një burimi të DITA, veçanërisht shqetësim ka sjellë qëndrimi i SPAK dhe ecuria e mëtejshme e hetimit, tek një nga biznesmenët më të rëndësishëm në vend. Kompania e tij ka kryer shitblerjet e pronave të shtrenjta që Prokuroria e Posaçme ka vënë në shënjestër.
Shqetësimi lidhet me përfoljet se hetimi i SPAK ka shkuar drejt ngritjes së akuzës për kontrata fiktive dhe pastrim parash.
Ankthin e përgjithshëm në botën e kapitalit të madh në Tiranë e ka shtuar fakti që kreu i SPAK ka refuzuar këto ditë çdo komunikim dhe kontakt. Ai thuajse është izoluar edhe nga kolegët e tij më të ngushtë, për të shmangur ndërhyrjet.
Burimi i tha gazetës DITA se pavarësisht tensionit dhe temperaturave të larta, nga SPAK do mbërrijë hapi i radhës që dikton ligji dhe dinamika e ngjarjeve.