SPAK ka urdhëruar të bëhen kontrolle të imtësishme në banesën e Ervis Martinajt në Surrel.
Sipas gazetares Klodiana Lala gjatë momentit të kontrollit në banesë, nuk ka qenë i pranishëm asnjë familjar i Martinajt.
Mësohet se policia nuk ka gjetur asgjë të paligjshme, ndërsa ka sekuestruar vetëm disa dokumente.
Lajmi më herët u bë i ditur nga gazetari Artan Hoxha i cili përmes rrjeteve sociale, bëri me dije se një numër i madh i forcave speciale kanë rrethuar vilën e Martinajt në periferi të kryeqytetit, ndërsa policia gjyqësore po kontrollonte në mënyrë të imtësishme çdo ambjent te saj.
Hoxha nënvizoi veprimet po kryhen në kuadër të hetimit të SPAK, në lidhje me operacionin “Plumbi i artë”, i nisur pas dëshmive të bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Ky është aksioni i dytë i regjistruar pasi në dhjetor të 2022, u kryen kontrolle në banesën e Ervis Martinajt në Fushë-Kuqe.