Ish-ministri i energjitikës Damian Gjiknuri përmes një postimi në Facebook ka reaguar pas akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha për Ramën, pasi e cilësoi si shkaktare të krizës energjitike.

Ai ka shkruar se Berisha do të duket si engjëll në sytë e shqiptarëve por ai do të mbahet mend si arkitekt i kolapsit financiar me sektorin e energjisë.

“Gati 9 vite pasi na la në duar “kufomën energjetike”, Sali Berisha tentoi sot të rikthehet në sytë e shqiptarëve si ëngjëll ndonëse gjithësecili prej nesh e di se maska e ëngjëllit nuk rri mbi fytyrën e varrmihësit të sektorit energjetik. Do apo nuk do, i pëlqen apo nuk i pëlqen, ai do të mbahet mend si arkitekti i kolapsit financiar me sektorin energjetik, me humbjet mbi 45%, zinxhirin e borxheve mes kompanive mbi 1 miliard USD dhe lakun e falimentit në qafë falë privatizimit të dështuar e korruptiv të kompanisë së shpërndarjes”, shkruan Gjiknuri.

Ndërsa e cilëson reformën në energji si një prej më të suksesshmeve të qeverisë Rama, Gjiknuri shkruan se është një arritje e cila i bën të ndihen krenarë.

“Reforma në energji është një prej sukseseve më të qëndrueshme të qeverisë “Rama” dhe pse jo një prej arritjeve që si ish-ministër më bëjnë të ndjehem krenar. Në vetëm 5 vitet e para të qeverisjes sonë ne arritëm të përgjysmonim humbjet në energji, dyfishuam arkëtimet, rikthyem asetet e kompanisë në duart e shtetit shqiptar, i dhamë fund abuzimit ndaj qytetarëve në faturim, këputëm zinxhirin e borxheve mes kompanive dhe shëndoshëm financiarisht sektorin”, shton ai.