Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të bëra nga Sali Berisha një ditë më parë se kreu i qeverisë i ka mbyllur dosjen Lulzim Bashës për financimin rus të PD-së.

Rama tha se Berisha mbetet monument i gënjeshtrave dhe akuzave duke mohuar përfshirjen në këtë çështje.

Ndërkaq Rama paralajmëroi gazetarët duke u shprehur se do të habiten për gjërat që do të pasojnë.

Rama: Ai që quani ju kryetar i PD është turpi në gojën e kujtdo që e sjell si pikë referimi në raport me botën e informacionit. Nuk është turpi i askujt tjetër, përveç kujtdo dhe atyre që verbërisht e sjellin që vazhdon e sjell si pikë referimi në botën e informacionit dhe në debatin publik. Është monument i gënjeshtrave dhe akuzave.

Është prurësi më i madh i llumit moral, i llumit gjuhësor, i llumit njerëzor në jetën e shqiptarëve, në historinë e Shqipërisë, se ka një të dytë Shqipëria. Ça kërkoni nga ju? Ta marr përsipër këtë pyetje dhe t’ju përgjigjem. Po mirë mo a nuk është i njëjti që me forcë mohoi çdo lidhje të PD me Rusinë, i vuri gjoksin dhe e mbrojti me pathos Lulzim Bashën?! Ku hy unë tani? Kjo është historia e jo një budallai që hedh një gurë në lum, por e një shejtan budallai që torrolis një vend të terë dhe ju tërheq prej hunde të gjithë ju që e pranoni me veten tuaj që ta konsideroni si pikë referimi, si burim informimi, si subjekt që meriton të hyjë në gojën tuaj dhe të futet në mes të debatit publik.

Është katastrofë. Financimi rus i PD është denoncuar nga PS. Taulant Balla, Braçe, e me radhë, s’keni lënë gjë, po flas për ata që janë çuditur, që skanë lënë gjë pa ju bërë. Është denoncuar nga nëse s’gabohem, nga Muhamed Veliu. Ça kërkoni sot? Po në tv tuaj ka dalë Lulzim Basha dhe ju ka treguar një përrallë me 500 aksionerë që iu lind në zemër që mbledhin para dhe nuk vunë emrin. Pse nuk u habitët ju atëherë. Apo ishte më kollaj që t’ja linit Ballës, Braçes e Spiropalit, t’ja linit Spiropalizimit të PS. Do ju duhet të habiteni për shumë gjëra të tjerë. Keni çështjes të tjera që ulërasin. Do habiteni. Do thoni a keni pasur gisht ju që i keni mbyllur.