Koncesioni i Butrintit, që sipas qeverisë do të jetë një bashkëpunim në investim mes Fondacionit shqiptaro-amerikan me Shqipërinë është bërë sot në Kuvendin e Shqipërisë “mollë sherri” mes Edi Ramës dhe opozitës. Debatin e hapi deputetja demokrate Ina Zhupa, së cilës fillimisht iu përgjigj ministrja e Kulturës, por që më pas fjalën e mori vetë kryeministri duke lëshuar ofendime dhe etiketime pa doganë për deputetët e opozitës, si “ju jeni të afektuar nga budallallëku, dele, kope, keni rrëshqitur, të vdekur, etj”. Kjo gjithë, ka sjellë reagimin e deputetëve të opozitës, disa prej të cilëve ia kthyen duke i thënë “je me kartelë”. Këtu Edi Rama u kujtoi Sali Berishën dhe u kujtoi se do të katandisen akoma më keq me ish-kryeministrin në krye të PD-së. Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj dhe deputeti Tritan Shehu i kërkuan kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që të marrë masa për gjuhën e përdorur nga kreu i qeverisë në parlament.
Debati i plotë në Kuvend
Edi Rama: Ju jeni autorët e kioskave. Butrinti patjetër do të ketë edhe aktivitete fitimprurëse, por ju duhet të shikoni se për cfarë parashikohet që do të përdoren fitimet, për Butrintin dhe nuk do të shkojnë në Amerikë fitimet nga baret dhe restorantet, që nuk do të jenë si parku “Rinia”. Parku i Butrintit do të bëhet sikur themi ne, sepse ne dimë se cfarë bëjmë, ju nuk dini se cfarë flisni.
Partneri ynë është fondacioni shqiptaro-amerikan, nëse ju keni problem me fondacionin është problemi juaj dhe jo i joni, është partner shumë pozitiv, ka një bilanc të shkëlqyer në raport me kontributet e dhëna për Shqipërinë. Nuk jep kredi, nuk kërkon asgjë përveç partneritetit. Ata investojnë dhe ne investojmë, së bashku, si në shumë projekte. Në Butrint po kalohet në modelin e administrimit të parqeve kombëtare në botën e zhvilluar. Kështu administrohen.
Është punuar me ekspertë që e dinë mirë këtë fushë dhe qëllimi është që Butrinti të jetë park kombëtar, që të vazhdojë që të zhvillohet për gërmimet dhe kërkimet që vazhdojnë, të shërbejë edhe si hapësirë dije nga ata që janë më me eksperiencë te studentët dhe për të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera, që cilido që është i interesuar i studion dhe kupton, ne jemi shumë krenar për këtë marrëveshje dhe falenderoj fondacionit shqiptaro-amerikan, që është kërkuar prej nesh.
Fondacioni nuk i cakton vetë. Ne ulemi, bëjmë diskutime, shikojmë projektet, përcaktojmë prioritete dhe fondacioni ka pranuar që të hyjë. Parku i Butrintit do të jetë edhe e para zonë që do të hyjë në hartën e zonave pa asnjë përqindje karboni, komplet e gjelbër, me të gjitha aktivitetet e brendshme pa asnjë % karboni. Ne jemi shumë krenarë. Ju mund të vazhdoni. Profesor do të dëgjoj se kam parë që ke një rrëshqitje të thellë, nga qëndrimin stabël te tatëpjeta amerikane, do të mundohem të të mbaj mos të shkosh në greminë, se atje do të shkoni nëse do të shkoni pas të vdekurit.
Edmond Spaho: Po e dimë shumë kush është fondacioni shqiptaro-amerikan dhe kam qenë një nga përfaqësuesit e parë shqiptar. Por i rrjedhur je ti, se do ta them, ku ke rrjedhur. Se na tregon këshilltarin e tij. Që në ’93 kërkonin të merrnin fondacionin dhe BERZH-i tha jo, nuk është skemë për ju, por për të nxjerrë lekë për veten. Këtë që e ka vendosur si këshilltar dhe ja paguante Sorosi.
Lindita Nikolla: Mbaroi koha e replikës zoti Spaho.
Enkelejd Alibeaj: Ndenj keqardhje për gjendjen mendore. Ne kemi një rregullore në kuvend që thotë se duhet sanksionuar deputeti që përdor këtë gjuhë për të vendosur seriozitetin. Pastaj për historinë e budallenjve dhe hajdutëve, këtu mund të jenë edhe shumë të rinj, që kur ai ishte ministër i Kulturës, ikonat, kur ky ishte ministër, i çoi në Gjermani dhe nuk u kthyen kurrë këtu. Për të kthyer seriozitetin në këtë sallë dhe për të folur për gjërat që u interesojnë shqiptarëve dhe jo budallenjve do të flasë Ina Zhupa. Pres të merrni masa për deputetin Rama. Vetëm gjendja e rënduar mendore mund ta shpëtojë.
Edi Rama: Unë nuk i thash asnjërit prej jush, ti je budalla. Po ti them, kjo është fyerje. Unë thash, që ju budallallëkun e keni sëmundje ngjitëse në kopenë tuaj. Nëse ju u ndjetë dele, që futet në kope, ky është problemi juaj. Unë di që edhe njerëzit që bien në nivelin tuaj, futen në kope. Nëse do të hyjmë te gjuha parlamentare, ju nuk duhet të hyni kurrë më në parlament, pasi juve shani me fjalë që përbëjnë akuza penale. Për mua nëse dikush më thotë budalla nuk kam asnjë problem, është opinion, por kur më thotë kriminel, sigurisht që kam problem.
Budalla? Secili ka opinionin e vet. Zoti Alibeaj ti provove se je si ai që me demek je kundërshtar. Ti the që me demek kam çuar ikona në Gjermani, këtë e ka thënë ai. Prandaj juve nuk ju voton njeri. Njerëzit nuk shohin asnjë dallim mes jush. Ju jeni kopje të zbehta të atij të vdekurit. Ju jeni fundi more. Kumi te bova, sikur thoshin vlonjatët dikur. Jeni out dhe nuk mbani asnjë përgjegjësi për atë që thoni. Ju jeni infektuar me virusin e budallallëkut. Ju vazhdoni, jeni në rregull, fatkeqësi e madhe për të gjithë jetimët që keni lënë rrugëve. Ju na tregoni si bëhet parku i Butrintit, “o vdeksha unë për ju”.
Tritan Shehu: Të merren masa, kryeministri na ofendoi rëndë. Nuk jam as kope dhe as budalla. Të ndërpritet seanca. Të merren masa për kryeministrin për shkeljen e etikës.
Ina Zhupa: Kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin. Ne denoncojmë aferën e Butrintit, kryeministri nuk merret me Butrintin por ne.