Publikohet video e momentit të arrestimit të Armando Ndrecës, vëllait të deputetit socialist të Lezhës, Eduard Ndreca.

Ai u prangos të mërkurën e 10 prillit nga blutë pranë një servisi në qytetin e Lezhës.

Në video vihet re momenti kur Ndreca, i veshur me një bluzë ngjyrë blu, prangoset nga forcat e policisë.

Video e publikuar nga report TV:

Ndreca është arrestuar me dyshimin se është përfshirë në kultivimin e kanabisit, pas një operacioni antidrogë ku u gjet një stan i kthyer në ‘shtëpi bari’.

Për Ndrecën është prerë fleta e arrestit, bashkë me dy personat e tjerë, ndërsa ditën e nesërme pritet që të dalin para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Arrestimi i vëllait të deputetit socialist erdhi pas një hetimi disamujor të Policisë së Lezhës për kultivimin e kanabisit në pyjet e Kashnjetit.

Po të mërkurën, në pranga ranë edhe kunati i Armando Ndrecës, Armel Nikdukaj, 27 vjeç dhe Elvis Shpellzai 28 vjeç. Ata u kapën në stanin që kishin përshtatur si ‘shtëpi bari’.

Nikdukaj dhe shoku i tij Shpellzai janë mbajtur në vëzhgim prej disa mujash, ndërsa Ndreca ra në ‘grackën’ e Policisë, pasi duke përgjuar telefonin e kunatit Armel Nikdukajt është regjistruar edhe një telefonatë me Armando Ndrecën.

Por ende nuk dihet roli i tij në këtë veprimtari kriminale, ndërsa gjatë marrjes në pyetje vëllai i deputetit ka deklaruar se nuk ka lidhje me drogën.

Gjatë operacionit u sekuestruan 2973 bimë narkotike, disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi dhe tre celularë.

Ndërsa gjatë kontrollit në banesat e Nikdukajt dhe Shpellazit në qytetin e Koplikut u sekuestruan 3 armë të ftohta dhe një maskë.