Ngjarja më tragjike e kësaj verë, ndër shumë të tjera, ishte vrasja e 7-vjeçares Jonada Avdia, nga ish-komisari i policisë Arjan Tase. Ngjarja ndodhi në plazhin e Potamit në Himarë, që u pasua më pas me protesta qytetare për drejtësi.

Po ashtu lidhur me këto seri ngjarjesh u shkarkua nga detyra edhe ish-drejtori i Policisë Gledis Nano, si dhe për rastin e 7-vjeçares, u pezulluan nga detyra 15 drejtues e inspektorë policie, që supozohet se duhet të ishin aty duke inspektuar, e duke mbikëqyrur plazhet.

E keqja vijon më tej, pasi 15 shefat dhe inspektorët e policisë të zonës Himarë- Vlorë, nuk u hetuan nga SHÇBA as kur Gledis Nano ishte drejtor, por as nga pasuesi i tij Muhamet Rrumbullaku.

Skandali thellohet me tepër, pasi 15 zyrtarëve të policisë, u është hequr masa e shkarkimit nga detyrat dhe e pezullimit nga policia.

Kështu ata janë rikthyer përsëri në strukturat policore, në të njëjtën drejtori e komisariat policie dhe me të njëjtat grada e detyra, ku thjesht iu janë ndërruar zonat e shërbimit.

Theksojmë rikthimi i 15 policëve të pezulluar për vrasjen e 7-vjeçares në plazh, është bërë 3 ditë pasi kryeministri Edi Rama, në prezantimin e drejtorit Muhamet Rrumbullaku, deklaroi:

“Jam akoma i traumatizuar e nuk më zë gjumi, prej tragjedisë që shkaktoi punonjësi i policisë në Himarë, i cili duhet të marrë ndëshkimin që meriton, por zoti ministër dhe ju zoti drejtor i ri, në polici nuk duhet të kenë më vend, as ata që nuk garantuan sigurinë e pushuesve në plazh.”-deklaronte Rama.