Kryeministri Albin Kurti zhvilloi një takim me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch. Në fjalën e tij, Kurti u shpreh se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë pas vrasjes së efektivit të policisë.

“Mbi të gjitha dëshiroj të falënderoj ata për mbështetjen e fortë ndaj Kosovës, veçanërisht pas sulmit të 24 shtatorit. Siguria në Kosovë ishte pika kryesore e temës sonë dhe ua prezantova senatorëve të dhënat e freskëta pas sulmit të 24 shtatorit”, ka thënë kryeministri Kurti.

“Përfshirja e Serbisë ka ndodhur të paktën në katër shtresa për mbështetjen e sulmeve terroriste në Banjskë. Kemi dëshmi se sulmi ka qenë pjesë e një plani më të gjerë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes sulmeve të koordinuara, përmes një themelimi të një korridori për furnizim të armëve në veriun e Kosovës”, ka thënë ai tutje.