Partia Demokratike e Shqipërisë është përfshirë në një debat të fortë në ditët e fundit. Tashmë jo për vulën e partisë, por për vilën.
Denoncimi i sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi se një koleg i tij brenda PD-së po mban peng opozitën për shkak të një vile që ka në Gjirin e Lalzit me vlerë 760 mijë që e ka nxjerrë në shitje solli furtunë brenda opozitës.

Heshtja e disa ditëve sot i la vendin sherrit në mes të seancës plenare. Edmond Spaho dhe Tritan Shehu i shkuan Bardhit te karrigia që ishte ulur në Kuvend duke i kërkuar që të mos e vazhdojë këtë histori. Situata agravoi.
U desh ndërhyrja e Jorida Tabakut për të qetësuar gjendjen. Në krahun tjetër reagoi Erion Braçe duke e cilësuar të turpshëm sherrin në mes të parlamentit. Por sërish pyetja ngeli pa përgjigje, kush e ka vilën?

Gazment Bardhi postoi në rrjetet sociale njoftimin e shitjes së vilës dhe kompanisë me çmimin jo 760 mijë euro, që tha në fillim, por 670 mijë. Sipërfaqja totale e hapësirës është 810 m2 dhe vila luksoze ka 10 dhoma dhe 4 banjo.

Gazeta Jonë sjell pamjet brenda vilës luksoze.