Gazetarja e kronikës së zezë në Shqipëri, Klodiana Lala ka analizuar aksionin e SPAK, të koduar “Plumbi i artë 2”, i cili zbërtheu grupi kriminal të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja.
Në fjalën e saj në “Çim Peka Live”, Klodiana Lala u shpreh se aksioni i kishte dhënë një goditje të fortë, një prej organizatave kriminale më me influencë në Shqipëri.
Ndër të tjera në fjalën e saj, Lala foli edhe për një “figurë qëndrore” që u pastronte paratë në Shqipëri dy vëllezërve nga Elbasani. Por nuk përmendi emra.
Klodiana Lala: Për krimin e organizuar SPAK ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm. Kam bërë dy emisione për vëllezërit Çopja. Franc dhe Hajdar Çopja konsiderohen sot për sot dy nga personat më të rëndësishëm të krimit të organizuar. Grupi Alibej dhe Çopja janë dy grupimet më të ashpra dhe më të rrezikshme që kanë vepruar në Elbasan. Për çfarë arsye? Masakra e Bradasheshit ku u vra Endrit Alibej ishte një masakër e ashpër dhe problematike. Kur e kam nxjerrë faktin për herë të parë që ishte rrahur një roje në Britaninë e Madhe, ishte masakruar, ka pasur një sulm frontal ndaj meje nga të dy grupimet. Erion Alibej për vrasjen e të vëllait urdhëroi gjithë spastrimin e grupit kundërshtar dhe bëri të paktën 6-7 vrasje. Nga ana tjetër Çopjat mendohet se në Dubai kanë investuar 200 milionë euro. Vetëm në Shqipëri u kapën 1 mln euro cash. Në Shqipëri kanë hyrje në të gjitha fushat e shoqërisë. Belgët kanë qenë të interesuar…kur kërkuan ekstradimin e Franc Çopjas, kanë bërë një marrëveshje sepse e deshëm me çdo kusht. Sepse kanë një figurë shumë qëndrore që pastron paratë në Shqipëri, faktet do të dalin ditë pas dite.
Operacioni i zhvilluar zbardhi katër atentate që lanë pas 6 të vdekur. Bëhet fjalë për masakrën e Bradasheshit, ku u vranë Endrit Alibej, Albert Dylgjeri dhe Erdal Duranay; vrasjen e Klevis Kapllanit; atentatin ku mbeti i vrarë Klevin Baho dhe vrasja e Andi Zylyfit, ngjarje të cilat rezulton se janë urdhëruar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.
Gjithashtu me urdhër të dyshes numërohen dhe 16 tentativa të dështuara, 4 për të vrarë Erion Alibej, dy për Nuredin Dumanin, atentati i dështuar kundrejt Kei Pikut e Irfan Azizi dhe tentativat e tjera për të tjerë personazhë, rivalë të tyre që ende nuk u janë zbardhur emrat. Vëllezërit Çopja sipas SPAK kanë qenë dhe truri i grabitjes së Rinasit.
Dyshja ndihmoheshin dhe nga punonjës në institucione të drejtësisë, përmendim këtu gjyqtaren Pajtime Fetahu që është lënë në masën “arrest shtëpie” dhe një punonjëse të administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë që u kalonte të dhëna sekrete.
Vëllezërit Çopja kishin rekrutuar dhe dy punonjës policie në grupin e tyre. Gjatë operacionit janë sekuestruar 1 mln euro kesh dhe 42 pasuri, mes tyre prona e llogari bankare.
Vetë Franc Çopja ndodhet ndodhet i arrestuar në Belgjikë, ndërsa Hajdar Çopja i prangosur në Dubai. Në total janë lëshuar 33 masa sigurie, por janë ekzekutuar vetëm 15.