Denis Dyrnjaja

Koha ka treguar e provuar se dëmi më i madh politik PS i vjen nga vetja sesa nga opozita. Rasti i fundit i Kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla i arrestuar mbrëmë nga SPAK-u, por edhe rastet të mëparshme në vite që prej ish-Kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi, ish-Kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe apo Kryebashkiakes në detyrë të Komunës Dimal (Ura Vajgurore) Juliana Mema që pritet t’i trokasë SPAK në derë nga ora në orë për abuzime me tenderët dhe shpërdorim detyre kanë kompromentuar fort imazhin e qeverisjes së pretenduar me duar të pastra dhe në shërbim të qytetarëve.

Në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit dhe objektivit për një fitore të tretë edhe në pushtetin lokal, përveç atij qendror, këto skandale të kryebashkiakëve socialistë janë një kosto e shtuar dhe direkte për Edi Ramën, sidomos kur e gjithë pesha e pushtetit tanimë është mbi PS që kontrollon gjithçka.

Me një opozitë e cila po kalon një gjendje së nderë për çelësat e “kullës se barit” brenda saj, Edi Rama ka një sfidë specifike para vetes dhe opinionit publik për kandidatët të cilët do të përzgjedhë për të qenë fytyra përfaqësuese e PS në pushtetin lokal. Publikut mund t’i thuhet për një rast të izoluar që përgjegjësia, veçanërisht ajo penale është individuale, por nuk mund të “kapërcesh lumin” vetëm duke thënë se nuk di gjë për ata që hanë dardha pas kurrizit tënd.

Se edhe dardhat sado të buta, kërcasin në gojë, sidomos ato që kanë edhe shumë lëng. E si po duken gjasat nga këto dardha kanë ngrënë plot “pashallarët e pushtetit lokal”, pas syve e veshëve të kryeministrit, paçka se ai herë i sheh e dëgjon e herë jo. Të të bien kryebashkiakët njëri pas tjetrit në burg e të të hetohen me duzina drejtorët e bashkive, nuk është ndonjë krenari edhe pse Rama këtu luan me variantin e fryteve që po jep reforma në drejtësi.

Por mes dështimit të shumë zyrtarëve lokalë të kapur në korrupsion dhe sukseseve të drejtësisë së re, Rama duhet të ndjehet më shumë i sekëlldisur nga marrja e erzit prej atyre që iu ka besuar përgjegjësi, se sa i nderuar nga reforma në drejtësi që është thjeshtë një akt poktik i mazhorancës së tij. Ndaj është koha të shkundet mirë pema e të zgjedhurve e “dardharët e kalbur” të bien në tokë e të gjenden të tjerë kandidatë pa cene e halle.

Herën e parë kur t’i hanë dardhat nuk ke faj se nuk e dije, herën e dytë se besove, por nëse vazhdon e përsërit për herë të tretë i bie që me koshiencë e zgjodhe atë kandidat dhe e pranove. Ndaj këtë herë z Kryeministër nuk mund të thuash më së përgjegjësia është individuale ndaj çdo kujt që del nga rruga e ligjit e abuzon me detyrën. Se para se të dalin para popullit për t’iu marrë votat, këta dardharët e vjetër e të rinj do marrin certifikimin nga ti, e kjo është mirëfilli përgjegjësi.

Nuk funksion më versioni kur ka sukses e ndajmë bashkë, kur plas skandali fajin e ka ajo/ai. Pushteti nuk është lojë kukafshehti, është lojë dinjiteti dhe këta të pushtetit të vogël vendor po dalin më të paparashikueshëm se ata bobat lart të pushtetit qendror.

Kujdes koshin me dardha z Kryeministër se do të t’i hanë pashallarët e agallarët bashkiakë poshtë tyre dhe do të të mbetet koshi bosh e s’do kesh më pastaj edhe kë të fajësosh!