Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur vëllain e biznesmenit Pëllumb Salillari, Lulzim Salillari, i cili akuzohet për ndërtim të paligjshëm.
Po ashtu nën akuzë është shoqëria “Salillari” sh.p.k. me administrator Bledar Starovën, pasi akuzohet për ndërtim të paligjshëm.
Në datën 06.07.2022, shërbimet e Postës së Policisë Farkë pranë Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë janë njoftuar nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se në portalin e policisë së shtetit “Komisariati Digjital” ka disa njoftime nga banorë të zonës së kopshtit Botanik rruga “Bilal Sina”, Njësia administrative Nr.13 Tiranë, ku thuhej së subjekti “Salillari” sh.p.k. po ndërton pallate pa leje.
Në pjesën e përparme të pallatit në krahun përballë kopshtit zoologjik gjendet e fiksuar në një llamarinë e afishuar leja e ndërtimit nr.prot X-13444/6 datë 27.11.2020 lëshuar nga Bashkia Tiranë ku thuhet se punimet kryhen nga shoqëria “Salillari” sh.p.k., do të ndërtohet një godinë banimi dhe shërbimi 1, 4 dhe 7 kate me 1-5 kate parkim dhe shërbim nëntokë me afat kryerjen e punimeve 60 muaj si dhe një foto e pamjes së jashtme të projektit të godinës.
Referuar aktit të konstatimit të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit rezulton se gjatë kontrollit të ushtruar në objektin me leje ndërtimi nr.X-13444/6 datë 27.11.2020 të objektit “Godinë banimi dhe shërbime1, 4 dhe 6 kat me 1-5 kate parkim dhe shërbime nëntokë u konstatua ndryshim nga projekti i miratuar duke realizuar sipërfaqe shtesë në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit ku sipas lejes totale sipërfaqe ndërtimore mbi tokë është 10516.29 m2 dhe gjendje faktike 12960.41 m2 pra shtesë ndërtimi 2444.12 m2.
Referuar lejes së ndërtimit me nr.prot X-13444/8 datë 27.11.2020 të Bashkisë Tiranë për objektin e sipërcituar me subjekt ndërtues “Salillari” sh.p.k. rezulton se leja e ndërtimit është “Godinë banimi dhe shërbimi 1, 4 dhe 6 kate, me 1-5 kate parkim dhe shërbim nëntokë” në pronë të z.Erald Kamberi, z.Ermal Alla dhe z.Ervis Kamberi.