Kryeministri Edi Rama, ka bërë një ese të gjatë, në mbrojtje të kullës 64 kate që ka firmosur vetë dhe pas të cilës ka akuza se fshihen interesa financiare te opozitës së drejtuar nga Sali Berisha.
Sikleti për të shpjeguar se përse “non-grata” e amerikanëve dhe britanikëve, vijon të ketë privilegje nga pushteti, e ka detyruar kryeministrin që jo vetëm ta shkruajë shumë gjatë esenë, por të mundohet me mish e me shpirt dhe të gjejë të gjithë fuqinë e kreativitetit, që në këtë vapë të tmerrshme, ta mbushë esenë me epitete të shpikura prej tij, duke i shtuar gjuhës shqipe edhe fjalë që nuk i ka patur deri më sot.
Rama shkruan se akuzat, për kapjen e kundërshtarit me metra katrorë në kullën më të lartë të Tiranës, janë teori konspirative dhe se ai nuk ka nevojë t’ju hedhë “kocka”, pasi ata nuk kanë dhëmbë për ta kafshuar.
Në fakt, në rastin e kullës, në mënyrën më flagrante, opozitës i kanë munguar jo vetëm dhëmbët, por edhe zëri, që e përdorin dhe keqpërdorin edhe për çështje nga më banalet në Shqipëri.
Po kështu, ditët e fundit në media janë publikuar fakte që tregojnë afrimitetin e djalit të tij, Shkëlzen Berisha, me ndërtuesin e kullës, Illir Shtufit. Djali i Berishës, banon në vilën e Shtufit, për të cilën bashkëshortja e tij paguan një qira simbolike prej dy mijë euro dhe ende nuk e ka shpjeguar se përse ia kanë bërë këtë nder, që të banojë me dy mijë euro në një vilë që kushton minimalisht trefishin e kësaj shume për t’u marrë me qira.
Në esenë e gjatë, Rama flet për firmën daneze që ka projektuar kullën, bukuritë e rralla të kullës, të cilat deri tani askush nuk i ka vënë në dyshim dhe shan kritikët, por nuk ka ndonjë shpjegim për ndërtuesit e saj, financimin e kullës dhe lidhjet me politikën, veçanërisht me politikanin që amerikanët dhe britanikët ia kanë vënë vulën e non-gratës në ballë dhe të cilëve Berisha i’u kërkon çdo ditë prova për korrupsionin e tij, madje duke ua shpallur edhe ambasadorët që kanë në Tiranë, si njerëz të paguar nga Edi Rama.
Ky është ndoshta nga rastet e rralla, kur Edi Ramës i lind nevojë të mbrojë nderin e Sali Berishës, për të mbrojtur së pari veten dhe ku vetë të madhit Sali Berisha, i lind nevoja ta qepë gojën me aq shumë penj, sa të rrënojë edhe atë pak besueshmëri që i ka mbetur fraksionit të opozitës që ai drejton. Pra, është nga rastet e rralla kur populli mund të dëshmojë, se si dy “bajlozët” e politikës janë në një mendje.
“Koka e meduzës së krimit”, “I biri i Kristaq xhelatit”, “Edvin Kristaq betoni”, u zëvendësuan papritur me frazën qesharake “ftoj Edi Ramën të anullojë lejen”. Pra, koka e meduzës, u kthye në një zotëri të nderuar, që po i kërkohet të anullojë lejen e kullës, pa ndonjë shpjegim se përse duhet ta bëjë këtë, kush janë ndërtuesit e saj, sa kushton ky projekt, sa e cënon ai interesin publik dhe nga dalin paratë për të.
Por kulla 64 kate, e ka një të mirë të madhe. Ajo arriti që t’i kthejë në qesharakë brenda pak ditëve, edhe shefin e qeverisë edhe liderin e madh të opozitës, duke u treguar shqiptarëve, se kur vjen puna për pazare, ata janë bashkë. Shefi i qeverisë u detyrua të hartojë ese në mes të vapës, për të mbrojtur edhe nderin e “non-gratës”, ndërsa lideri i madh i opozitës që sa vjen dhe bëhet më e vogël, u detyrua ta qepë gojën, duke i bërë edhe militantët e vetë më të thekur, të trishtohen nga pafuqia që po dëshmon nga njëra konferencë shtypi në tjetrën, ku bën sikur denoncon inceneratorët dhe Lali Erin, me fakte të përsëritura që tani i dinë të gjithë shqiptarët, por nuk e shpjegon dot pse nuk mbron interesin publik për “përbindëshin” më të fundit, që po ngrihet në Tiranë./TPZ