Policia ka njoftuar ditën e sotme zyrtarisht se Klajdi Merkaj është arrestuar në Itali. Tashmë pritet që autoritetet italiane ta ekstradojnë në Shqipëri. Në njoftim thuhet se ky arrestim u realizua si pjesë e operacionit “Para drejtësisë”, që synonte kapjen e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Merkaj ishte në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) kishte lëshuar një urdhër arresti më 29 korrik 2024, duke e akuzuar për përfshirje në pastrimin e parave të aktivitetit kriminal, në bashkëpunim me bandën “Çopja”.

Njoftimi:

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme me partnerët për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar Lokalizohet dhe kapet në Itali, një shtetas i akuzuar nga SPAK.

Si rezultat i sigurimit të informacionit nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një të kërkuari për llogari të SPAK, dhe shkëmbimit të këtij informacioni, në kohë reale, me partnerët në Itali, në kuadër të operacionit të koduar “Para drejtësisë”, Policia Italiane arrestoi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasin K. M., 35 vjeç.

Ai kërkohej ndërkombëtarisht, sepse më datë 29.07.2024, GjKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Romën, për të kryer ekstradimin e shtetasit K. M., në Shqipëri.

Vëllezërit Merkaj nga Berati janë “subjekti” më i ri i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për të tre vëllezërit Astrit, Endri dhe Klajdi Merkaj, SPAK nisi një hetim pasuror. Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sekuestrimit të pasurive të Klajdit Merkaj, Arben Lamçes, Arjon Ormenaj, Manjola Hysenaj, të shoqërisë “Elba Beton”, të “Hotel Demis”, të “Ish-Vilës Gjuta” etj. Masa e sigurisë vjen si pasojë e një operacioni që SPAK mori më 31 korrik, ku lëshoi urdhërarreste për 33 persona, por përfunduan vetëm 11 në pranga, ndërsa 2 prej tyre ishin në burg, pasi ishin arrestuar për vepra të tjera penale.