Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla vijon betejën me drejtësinë për një masë më lehtësuese sigurie se ajo e “arrestit me burg”.

Këtë të hënë, në GJKKO u zhvillua seanca pas kërkesës së Allës. Avokati i tij paraqiti prova të reja nga ekspertët mjekoligjore për sa i përket gjendjes shëndetësore të Allës.

Sipas avokatit Hysni Demiraj, gjatë një kontrolli të bërë për gjendjen shëndetësore ka rezultuar se ish-kryebashkiaku nuk është në gjendje të mirë për të përballuar burgun.

Seanca e radhës nga gjykata u la në 29 korrik, ora 13:30.

Lefter Alla pas arrestimit u shtrua në spitalin e burgut për shkak të problemeve shëndetësore.

Ish-kryebashkiaku akuzohet për shpërdorim detyre lidhur me një tender me vlerë afro 3 mln euro për ujësjellësin dhe kanalizimet në lagjen e vjetër të Bulqizës.

Më herët avokati i Allës është shprehur se arrestimi ishte politik dhe sipas tij, erdhi pas një përplasje mes klientit të tij me kryeministrin Edi Rama, me këtë të fundit që nuk donte një rikandidim të Leftër Allës në zgjedhjet lokale të 14 Majit.