Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka propozuar krijimin e një bashkësie gjeopolitike evropiane, në të cilën do të përfshiheshin vendet evropiane që ende nuk janë anëtare të BE-së. Kjo do të përfshinte edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Por cfarë mendon Ilir Meta? Ai e cilësoi këtë lëvizje si aspirinë.
“Idetë që hidhen nga individë të caktuar pavarësisht funksioneve, janë gjithmonë interesante, por më të rëndësishme janë detyrimet e shkruara dhe të votuara nga institucionet më të lartë të BE. Mysafirët kur vijnë japin ndonjë aspirinë për integrimin, por ajo që është e shkruar mbetet.
Dëshiroj dhe mbështes çeljen e negociatave pavarësisht kësaj prapambetje skandaloze, pasi populli meriton një hap përpara, por këto probleme sërish do të mbeten, do të kushtëzojnë ecurinë e negociatave dhe integrimit, janë pengesa të pakalueshme. Duhet të ketë një reflektim urgjent dhe këto rezoluta të mos i fshihen publikut” tha ai.
Por a ka ai një këshillë për opozitën në procesin e negociatave për zgjedhjen e Presidentit të ri? “Nuk kam asnjë këshillë për t’i dhënë opozitës, sepse ka bërë gabime fatale, pjesa kryesore me ndërgjegje të plotë, pjesa tjetër aq e pati thellësinë e gjykimit.
Djegia e mandateve dhe bojkoti. Këto nuk janë gabime, por krime që bëhen një herë në 100 vite. Nuk kam asnjë sugjerim për opozitën dhe asnjë kuriozitet për presidentin e ri. Shikoni 45 pikat që ka nxjerrë rezoluta e PE, reflektojnë shqetësimet që ka ngritur presidenti” tha ai.