Editorial-Gazeta Jonë

Ngjarja tragjike dje në Tiranë që tronditi një komunitet të tërë, ku 14-vjeçari Mario Prelleshi vrau me thikë bashkëmoshatarin Martin Cani pranë shkollës, dhe plagosi një tjetër shok të tij, ka rikthyer debatin mbi përgjegjësinë e prindërve në edukimin e fëmijëve të tyre.

Shumë zëra po shtrojnë pyetjen: A është e drejtë që vetëm një adoleshent të mbajë barrën e plotë të një krimi të tillë? A nuk janë prindërit ata që duhet të jenë në vijën e parë të përgjegjësisë? Në një shoqëri ku vlerat familjare shpesh theksohen si themelore, a nuk ka ardhur koha të pranojmë se toleranca ndaj prindërve të papërgjegjshëm është bërë një problem serioz?

Fëmijët nuk lindin me dhunë, por e mësojnë atë në mjedisin ku rriten. Prindërit janë të parët që ndikojnë sjelljen e fëmijëve dhe ata që formësojnë botëkuptimin e tyre.

Në rastin e Mario Prelleshit, çfarë shembulli edukimi ka marrë ky 14-vjeçar që të përfundojë në një akt kaq të rëndë?

Ligji shqiptar shpesh fokusohet në ndëshkimin (e lehtë) e të miturve, ndërsa neglizhon faktin se prindërit kanë një rol të pazëvendësueshëm në formimin e tyre.

Kjo tragjedi na detyron të rishikojmë qasjen tonë ndaj përgjegjësisë familjare dhe të kërkojmë që prindërit të mbajnë pasojat për veprimet e fëmijëve të tyre.

Arrestimi i prindërve të Mario Prelleshit do të dërgonte një mesazh të qartë: Boll më me tolerime ndaj atyre që dështojnë në detyrat e tyre si prindër.

Në vend që të ndëshkojmë vetëm një të mitur, duhet të përballemi me rrënjët e problemit dhe të kërkojmë llogari nga ata që kanë detyrimin kryesor për edukimin dhe kontrollin e fëmijës.

Përgjegjësia për krime të tilla nuk i takon vetëm fëmijëve, por edhe prindërve të tyre, të cilët kanë dështuar të jenë një shembull dhe një guidë morale për ta.
/GazetaJonë