Dy vëllezërit shqiptarë, Arnold dhe Artan Balla që ia dolën të mahnistin e të ngrinin në këmbë jurinë e “America’s Got Talent” (Simon Cowell, Heidi Klum dhe Sofia Vergara) kanë rrëfyer emocionet e arritjes së tyre. Në një intervistë për ‘Ftesë në 5’, ata thanë se fillimisht nisën të jepnin shfaqje në Evropë ku spikatën me talentin e tyre e më pas u ftuan të merrnin pjesë në talent-shoën më të madh. Vëllezërit shqiptarë thanë se ftesa për në “America’s Got Talent” u bë që në 2019 por për shkak të pandemisë u shty për një moment të dytë dhe pjesëmarrja e tyre u bë e mundur këtë vit.
“Ne që në momentin që krijuam kompaninë tonë dhe filluam me shfaqjet private në Europë fillimisht po na ecte shumë mirë dhe me talentin tonë kuptuam se nuk ishim për institucionet shqiptare ku t’i presin krahët dhe t’i mbyllin dyert. Por jemi për evente ndërkombëtare dhe filluam të bëjmë shfaqje. Pas Europës emri jonë u bë shumë i dëgjuar, deri në Amerikë. Ftesa për në “America’s Got Talent” na u bë që në 2019 por për shkak të pandemisë u shty për një moment të dytë që ishte këtë vit. Kemi kaluar eksperiencën më të mirë të jetës dhe nuk mendoj se kemi për të marrë eksperiencë dhe arritje më të madhe,”- tha Arnoldi.
“T’i bësh përshtypje Simon duhet të jesh shumë i arrirë. Të gjithë e dimë se sa i vështirë është ai. Dhe në momentin që ai u ngrit në këmbë për performancën tonë do të thotë se ia kemi arritur qëllimit dhe po e përfaqësojmë Shqipërinë më së miri,”- vijon ai.