IMG_9333

Ish-Ministri i Financës dhe Ekonomisë, Arben Malaj nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, e konsideroi qesharak akuzën e kompanisë së fluturimit “Air Albania” se Arben Ahmetaj ka lëvizur pa paguar, madje duke shtuar se ai dhe familja e tij janë në borxh me kompaninë. Në reagimin e tij, Malaj u shpreh se akuzat e kompanisë janë të pabaza, jo ligjore dhe se i ngjasojnë fletërrufeve të kohës së komunizimit.

Malaj ka theksuar se nuk dëshiron të bëhet pjesë e akuzave dhe kundër akuzave mes ish-ministrave të Partisë Socialiste, por ka theksuar rëndësinë e transparencës dhe ligjshmërisë në kompanitë publike. Ndër të tjera ish-ministri ka ngritur disa pyetje, ku i kërkon llogari kompanisë se kush e ka dhënë urdhërin e kundraligjshëm qoftë edhe me gojë që ministrat dhe familjarët e tyre të udhëtojnë pa parapaguar biletat e avionit.

REAGIMI:

Pasi kam folur shpesh për problemet dhe sfidat e PS dhe qeverive të saj, kam vendosur të mos përfshihem në akuzat dhe kundër akuzat midis ish ministave dhe ministrave të PS-së. Vleresoj se çdo person ligjërisht konsidetohet i pafajshëm deri sa faji i tyre provohet me vendim të formës së prerë të gjykatave. Kjo përgjigje e një kompanie ku shteti shqiptare është bashkëpronarë, është jo ligjore. Ajo është një fotokopjo e fletërrufeve të mentaliteteve komuniste : Ta diskretitojmë dhe ta “vrasim” publikisht armikun e partisë. Pas një akuze publike që kompania rrezikohet në falimentim, kompania ka detyrim ndaj taksa paguesve shqiptare per transparence dhe llogari-dhenie maksimale, sepse keq manaxhimi, rënia e fitimeve dhe falimentimi u rëndon jo vetëm aksionerëve, por edhe taksapaguesve. Kompania duhet të përgjigjet bazuar në bilancet e audituara dhe jo me fletërrufe. Si ka mundësi që në çdo avion të çdo kompanie tjetër nuk hipën dot asnjë pasagjer pa parapaguar biletën, qoftë edhe pasagjeri që vuan edhe për bukën e gojës, ndërsa me avionët e kompanisë tuaj sipas jush qenka bërë turizëm familjar, edhe pa paguar biletat. Mbledhja e detyrimeve të prapambetura është element i rëndësishëm i qëndrueshmërisë financiare të çdo kompanie. Kush e ka dhënë urdhërin e kundraligjshëm qoftë edhe me gojë që ministrat dhe familjarët e tyre të udhëtojnë pa parapaguar biletat e avioni??? Cili person në kompaninë tuaj e ka zbatuar këtë urdhër të kundraligjshëm??? Prandaj ky kundërsulm ku fshihet transparenca është sa jo ligjore aq edhe qesharake. Kompanitë publike kërkojnë përgjegjësi publike dhe ligjore. Ndjesë për këtë reagim, por papërgjegjshmëria e manaxhimit të kompanive publike rëndon mbi të gjithë.

Çfarë ndodhi mes kompanisë ajrore dhe ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj?

Arben Ahmetaj deklaroi se kompania ajrore “Air Albania’ ka falimentuar për shkak të kryeministrit Edi Rama dhe se ka detyrime aeroportuale. Në intervistën e dhënë së fundmi, Ahmetaj tha se prej datës 31 dhjetori të 2019 humbja e Air Albania tejkalon gjithë totalin e aksioneve të grupit në këtë joint venture është 20 mln euro. Ahmeraj tha se qytetarët kanë paguar çarterin e përdorur nga qeveria përmes taksave, ku një udhëtim nga Tirana në Romë kushton 14 mijë euro dhe kompania ka detyrime aeroportuale.

Pas kësaj deklarate ka reagur kompania ajrore “Air Albania”, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se ish-zëvendës kryeministri i detyrohet në fakt kompanisë ajrore. Kompania tha se Ahmetaj dhe familjarët e tij kanë udhëtuar pa paguar biletat, duke u premtuar se do të shlyejë detyrimin, por nuk ka ndodhur.