Shumë prej të famshmëve po kritikohen për udhëtimet që ata realizojnë me avionë privatë luksoz, duke qenë se janë ndër figurat më të zëshme për sa i përket problemeve të ngrohjes globale apo emetimeve të karbonit.

Biznesmenia miliardere Kylie Jenner është përballur me një lumë kritikash për vendimin e saj për të udhëtuar me avionin e saj privat në një fluturim që zgjati vetëm 17 minuta. Arsyeja që ky fakt është bërë publik është llogaria në Twitter, @CelebJets, e hapur së fundmi nga 19-vjeçari Jack Sweeney.

Lajmi për motrën e famshme të Kim Kardashian duket se nuk e habiti aspak Sweeney-n, pasi sipas tij, miliarderi Elon Musk ka bërë udhëtime edhe më shkurtra me çarterin e tij privat.

Sweeney tha se Musk ka udhëtuar shumë herë nga Aeroporti i Los Anxhelos-it në Aeroportin Hawthorne, një udhëtim që zgjat vetëm 5 minuta! Avionët privatë të të pasurve në SHBA janë kthyer në një temë serioze falë adoleshentit i cili pret ta zgjerojë edhe më tej programin e tij CelebJets, i cili gjurmon lëvizjet e avionëve personal të të pasurve, duke përdorur të dhëna të trafikut ajror të cilat janë publike.

Sipas ‘World Inequality Lab’, 1% e popullsisë që përfshinë njerëzit më të pasur në botë, shkaktojnë 70 herë më shumë ndotje apo emetim të karbonit në ambient se sa pjesa tjetër e njerëzve. Në të njëjtën kohë, avionët privat janë 5-14 herë më ndotës se avionët komercialë dhe 50 herë me shumë se trenat. Këngëtarja Taylor Swift ka bërë plot 170 fluturime me avion privat këtë vit duke ndotur ambientin me plot 8300 ton dioksid karboni.

Prezantuesja e famshme Oprah Winfrey është gjithashtu një nga VIP-at që shkakton më shumë ndotje. Në vitin 2022, ajo ka ndërmarrë mbi 68 fluturime në avionin e saj privat që kushton $75 milionë dollarë, duke shkaktuar 3,493 ton emetime karboni, 499 herë më shumë se njeriu i zakonshëm. Fluturimi më i shkurtër i saj ka qenë gjithashtu vetëm 14 minuta duke emetuar 1 ton dioksid karbon.

Kim Kardashian ka ndotur ambientin me plot 4268.5 ton dioksid karboni me anë të 57 fluturimeve të saj vetëm gjatë 6 muajve të parë të vitit 2022.

Leave a Reply