Ashtu si e bija, edhe e ëma e Martina Pajollarit mohon akuzat e ngritura nga prokuroria për vajzën e saj. Dyshohet se Tina e dinte për planin e vrasjes së Martin Çeços, si dhe ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes.

Ditën e sotme ajo ka dalë përpara gjykatës dhe është njohur me masën e arrestit me burg të paktën deri në seancën e radhës. Pas kësaj ka folur e ëma e Tinës, Miranda Pajollari. Ajo shprehet se tre të akuzuarit dhe vajza e saj janë të pafajshëm.

Ajo deklaron se Tina nuk ka pasur lidhje me Valter Mollajn, i akuzuari kryesor i ngjarjes, por ai i ndihmonte për shkak se jetonin në vështirësi ekonomike. Ajo shprehet se Tina ishte martuar së fundmi dhe se atë po e pret dhëndri në shtëpi.

Deklarata e Miranda Pajollarit: “I bëri festë ai, çupa nuk e pranoi, se çfarë na futën në këto ngatërresa. Në polici na kërcënonin, na bënin. Erdhën na morën në 2 të natës, çupën e goditën. Jemi të pafajshëm, ne dhe ata djemtë, na kanë ndihmuar.

Janë shumë të pafajshëm, ata dhe çupa ime. E kanë marrë një natë, ne nuk e dinim vendin. Qante bërtiste çupa, nga kërcënimet i thoshte ato. Ne na ndihmonin për ushqimet për çdo gjë, se kam 4 fëmijë. Valteri na ndihmonte, ka vajzën sa çupa ime. Burri e kërkon vajzën.

Gjykata të më japë çupën, jemi të pafajshëm. Tina është e martuar, ka dy javë çupa që është martuar. Ka bagëtitë në fshat, ngeli këtej dhëndri. Është në Vlorë”.