Qeveria ka miratuar paketën e mbështetjes ekonomike për të përballuar krizën ekonomike. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka treguar se nga kjo paketë do të përfitojnë mbi 64 mijë familje.
Ajo ka zbuluar se kjo paketë përfshin vendime të tilla si, nga 1 Tetori gratë kryefamiljare me dy fëmijë do të marrin dyfish mbështetje ekonomike; dyfishimi i pagesës së ndihmës ekonomike për të moshuarit pa pension, personave me aftësi të kufizuar do t’iu rritet masa e mbështetjes për kompesimin e energjisë elektrike.
“Ndryshojmë ndihëm e pagesës për gratë kryefamiljare me dy fëmijë. Për sa i përket familjeve që janë përfituese në tre plus fëmijë kemi bërë dyfishimin nga janari. Kemi dyfishuar pagesën e ndihmës ekonomike për të moshuarit që janë pa pension, plus 65 vjeç.
Dua të ndalem në këtë mbështetje. Janë mbi 64 mijë që do të përfitojnë nga këto masa. Është mbështetje e qëndrueshme dhe afatgjatë.
Pas indeksimit me 7.5% për programin e pagesave të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar. Janë 90 mijë që u është indeksuar masa e mbështetjes. Një tjetër vendim sot është marrë në lidhje me mbështetjen për energjinë elektrike për personat që kanë status të aftësisë së kufizuar të cilëve u rritet masa e mbështetjes për kompensimin e energjisë. Kjo masë shkon nga 2 mijë lekë të reja në 3 mijë lekë të reja. Nga kjo mbështetje përfitojnë më shumë se 12 mijë persona”, ka deklaruar Manastirliu.