Nga Gjergj Erebara

Sipas kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të gjithë duket se kemi dalë të fituar nga rritja marramendëse e çmimit të apartamenteve në Tiranë gjatë viteve të fundit. Argumenti i tij, i thënë në një studio televizive, ishte që nëse ti si qytetar ke një apartament, ai kushton sot më shtrenjtë nga sa kushtonte pesë vjet më parë. Pra teorikisht, ne të gjithë jemi më të pasur.

Në fakt kjo ndodh vetëm teorikisht. Praktikisht, nëse ti ke qëlluar me fat dhe ke një apartament ku banon, je njësoj si sot, si para dhjetë vjetësh. Para dhjetë vjetësh mund ta shisje apartamentin për, fjala vjen, 50 mijë euro, por nuk e shite, sepse përndryshe do të mbeteshe pa shtëpi. Sot, mund ta shesësh për 100 mijë euro, por normalisht që nuk  e shet, sepse njësoj si para dhjetë vjetësh, do të mbetesh pa shtëpi.

Në fakt kjo është situata normale për ndoshta pjesën më të madhe të popullsisë. Por problemi është që ka një pjesë aspak të vogël, e cila ka zero shtëpi. Jeton me qira. Ose ka një shtëpi të vogël e po i rriten fëmijët dhe dëshiron të marrë një shtëpi pak më të madhe. Ose ka një shtëpi të vogël, të blerë para shumë vitesh, pasi ka ardhur nga ndonjë provincë e bërë e pajetueshme dhe dëshiron që prindërit, tashmë të moshuar, t’i marrë në Tiranë. Dhe për këtë të duhet një dhomë shtesë. Ose ka një shtëpi të vogël dhe të keqe, (cilësia e ndërtimit këtu nuk ka qenë kurrë normale), dhe dëshiron të ketë një shtëpi më të mirë.

Nëse bie në këtë kategori qytetarësh, situata është bërë tmerrësisht e vështirë. Nëse paga mesatare e shqiptarit më 2015 ishte 42 mijë lekë në muaj, mund të gjeje apartament me çmim 800 apo 1 mijë euro për M2. Paga jote mujore mjaftonte për të blerë 0.4 apo 0.5 metra katrorë shtëpi. Për të blerë një shtëpi 70 metra katrorë, të duhej të punoje 140-170 muaj, ose 12-14 vjet. Në vitin 2022, paga jote mesatare është 66 mijë lekë. Çmimi i apartamenteve është rritur shumë më shpejt se sa pagat. Pagat janë rritur me 61%, ndërsa çmimi i banesave është rritur me afro 90%. Me pak fjalë, sot të duhen 15-18 vjet punë për të blerë një apartament minimal.

Natyrisht që rritja e çmimeve të banesave sjell përfitim për disa. Ndërtuesit, kostot e të cilëve janë pothuajse njësoj, fitojnë dhe sistemi famëkeq i lejeve dhe licencave ka gjasa që të fitojë gjithashtu. Fitojnë edhe ata të paktë që kanë pasur fat në jetë e që kanë më shumë se sa një shtëpi. Pjesa tjetër, ose nuk fiton, si në rastin e atyre që kanë vetëm një shtëpi, ose humbet. Por humbja e kësaj kategorisë së fundit nuk është thjeshtë humbje financiare. Ajo është para së gjithash humbje njerëzore dhe dhunim dinjiteti.

Njeriu që duhet të zhytet në kredi për një shtëpi e ka shumë të vështirë t’i lejojë vetes të heqë dorë nga një punë ku nuk ndjehet mirë, apo ndjehet i shfrytëzuar me tepri. Dhe sa më gjatë të vijojë kredia, aq më gjatë vijon dhunimi potencial. Ndërsa çmimet tepër të larta dhe krejtësisht të paarsyeshme të shtëpive bëjnë që një pjesë aspak e vogël prej atyre që nuk kanë shtëpi, ta shohin të pamundur të bëjnë jetë normale dhe dinjitoze këtu.

Ata zgjedhin emigrimin. Fakti është që shtëpitë janë të paarritshme për një pjesë të madhe të shqiptarëve. Dhe fakti është që nuk ka kurrfarë arsyeje se pse çmimet e shtëpive të jenë kaq të larta. Toka nuk ka mbaruar dhe qytetet mund të zgjerohen. Mund të zgjerohen me qëllim që të ketë ofertë më të lartë për banesa dhe njëkohësisht që të ketë ofertë për banesa më cilësore.

Në një vend normal, kandidatët për kryebashkiakë do të mund të prezantonin ide se cilat qyteza të reja do të themelojnë përreth Tiranës, se sa shumë toka aktualisht të lëna djerrë do të mund të urbanizohen për të krijuar kushte jetese normale për një popullsi që shpresohet se do të vijojë të rritet, ndonëse shenjat janë të qarta se edhe në Tiranë, popullsia ka gjasa ka filluar të gërryhet nga emigrimi.

Në vend të kësaj, kryetari mendon për atë minorancë fare të vogël që përfiton nga rritja e çmimeve, duke ndërtuar më keq dhe më shumë në atë hapësirë që sakaq është e mbingarkuar.