Për vite me radhë u konsiderua si “mbreti i kumarit” e më vonë edhe si “zot i krimit”. Ndikimi që kishte, bëri që fitojë një status legjendar, madje edhe mitik, për policinë, krimin por edhe për vetë qytetarët. Një personazh me lidhje të forta në polici dhe në politikë.

Po flasim për Ervis Martinajn. Një njeri, që para vitit 2013 pak kush e njihte. Madje duhet thënë se deri para atij viti, bënte një jetë të qetë. Me biznese të rregullta dhe pa probleme me Policinë.

Vit pas viti arriti majat, si në biznes, ashtu edhe në krim. Derisa një ditë u zhduk. Që nga data 9 gusht e vitit 2022, kur u denoncua si i humbur nga xhaxhai i tij, bëhen rreth 500 ditë që për fatin e Ervis Martinajt, askush nuk është në gjendje të thotë diçka me siguri.

Por megjithëse rezulton i zhdukur fizikisht, emri i tij gjatë këtyre 500 ditëve u lakua më shumë se kushdo tjetër. Është thuajse e pamundur që në dosjet më të rëndësishme, që SPAK ka në dorë kohët e fundit, të mos figurojë emri i Ervis Martinajt.

Ai përmendet edhe si palë e akuzuar, edhe si palë e dëmtuar. Si njëri që dyshohet të ketë porositur atentate, por edhe si njeri që i ka shpëtuar disa atentateve. Ndoshta sot, kur nuk dihet ende asgjë për fatin e tij, shumë personazhe të tjerë të krimit, e kanë edhe më të lehtë t’ia përmendin emrin. Ta drejtojnë gishtin tek ai, ndoshta edhe për krime që mund të mos i ketë kryer apo urdhëruar. Por sado me rezerva të shihen dëshmi të tilla, e sigurt është se disa njerëz janë vrarë për shkak të tij e ndonjë edhe në vend të tij.

Duket se i tillë ishte edhe Santiago Malko. Ai u ekzekutua brenda makinës së tij, mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019, në Tiranë. Në përfundim të hetimeve, pasi çoi dosjen për gjykim, Prokuroria tha se vrasja e tij kishte ndodhur për shkak të rivalitetit në lojërat e fatit mes dy grupeve kriminale. Por mes rreshtave në dosje dhe shumë dëshmive e një hetimi paralel të kryer nga Prokuroria e Vlorës, në fakt rezultoi se Malko ishte vrarë në pamundësi të eliminimit të Ervis Martinajt. Kjo, pasi disa plane për vrasjen e tij kishin dështuar.

Vrasja e Santiago Malkos ishte planifikuar nga një grup i përbërë nga 7 anëtarë, të cilët kanë qenë aktivë në terren, ndërsa dy persona të tjerë janë ata që kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin për të kryer ekzekutimin. Në dosjen hetimore theksohet se urdhërues të vrasjes janë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. Ndërsa grupi që punonte për ta dhe mori pjesë me role të ndryshme në vrasjen e Santiago Malkos, janë: Ilir Selmani, Oltian Loga, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku, Xhoni Nica, Fatmir Hyseni dhe Blendi Teta.

Gjykata e Posaçme deri tani ka dënuar 2 persona në lidhje me vrasjen. Blendi Tetën me 25 vjet burg dhe Ilir Semlanin me 28 vjet burg. I njëjti vendim është lënë në fuqi më 16 nëntor 2023 edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Ndërsa ka vendosur prishjen e vendimit për dënimin me 7 vjet burg të Elvis Gaçajt, një tjetër i akuzuar në këtë çështje, duke kthyer dosjen ndaj tij në shkallën e parë.

Ndërkohë, për personat që janë ende në kërkim, gjykimi vazhdon veçmas në mungesë. E në këtë proces, më 6 dhjetor 2023 dëshmoi i dënuari Blendi Teta, i cili përveç deklarimeve që kishte dhënë edhe më parë, dha edhe detaje të reja, kryesisht në lidhje me Ervis Martinajn.

Blendi Teta

“Nuk e njoh Santiago Malkon dhe nuk kam asnjë dijeni për ngjarjen e 27 gushtit 2019. Në atë kohë kam qenë në Shqipëri. Në datë 27 unë kam qenë për një drekë në zonën e Freskut. Në atë kohë isha menaxher i kompanisë së lotove të vëllezërve Duka, për Tiranën. Ata i njoh pasi u kam shitur atyre dhe Ervis Martinajt kompaninë time të basteve sportive.

Në darkë më ka dërguar me makinë Ervis Metani, sepse makinën time e kishte marrë shoqja ime, e cila kishte shkuar në Kavajë për punë personale. Në darkë kam qenë me Leonard dhe Erlis Dukën, Fatmir Hysenin, Oltion Logun, Aleksandër Manxhakun, të gjithë ishim menaxher për qarqe të ndryshme të lojërave të fatit. Kam shkuar tek darka rreth orës 17:00 dhe kam qëndruar deri nga ora 19:30 ose 19:45 dhe më pas jam larguar.

Ngaqë nuk kisha makinë i kam kërkuar Ilir Selmanit të më shoqëronte me makinën e punës që ishte “Skoda” e bardhë dhe e përdorimin për të transportuar tavolinat e lotove. Selmani më ka shoqëruar derisa të gjeja një taksi. Kemi kaluar tek Komisariati nr.4 dhe më pas kam shkuar tek spitali i Fëmijëve. Njëra taksi ishte e prishur dhe një shitëse e kioskës më tha prit 5 minuta se vjen taksia tjetër. Theksoj që celularin e kisha të fikur. Duke qëndruar aty kam dashur të shkoj në tualet. Aty në një lokal përbri Spitalit nr.5 nuk kishte tualet dhe jam futur tek spitali brenda për nevojat personale”.

Gjatë seancës, lë lidhje me disa deklarime të ndryshme, gjykata ka ndërhyre për saktësim dhe Blendi Teta ka vijuar me dëshminë.

Blendi Teta

“Nuk kam hyrë në Spitalin e Fëmijëve por tek Spitali nr.5. Më të mbërritur taksia jam nisur drejt banesës së shoqes sime, në ‘Don Bosko’. Ndërkohë familjen i kam me banim në afërsi të Liqenit të Thatë. Aktivitetin e lotove e ushtroja nga viti 2005 deri në shtator të vitit 2019. Vrasjen e kam mësuar disa ditë me vonë në gazeta. Më pas kam marrë informacion që isha në kërkim për lojërat e fatit dhe jam larguar për në Golem. Aty ku kam qëndruar deri në datë 13 shtator 2019. Dua të sqaroj se, me Ervis Martinajn dhe vëllezërit Duka kam pasur të njëjtin raport, çështje lotosh.

Gjatë kohës që isha në Golem taksisti që përdorja shpesh dhe që rrinte poshtë shtëpisë së shoqes sime më ka treguar se Policia më kishte kontrolluar shtëpinë. Më shoqen nuk flisja se ajo kishte frikë ngaqë kishte shkuar Policia. Ndërsa me gruan dhe fëmijët nuk kisha folur. Kur jam kthyer në Tiranë, më datë 13, më ka arrestuar Policia, aty nuk kam dhënë deklarime të nesërmen. Më kanë dhënë të firmos disa letra dhe më thanë që janë letrat e avokatit. Unë nuk kam lidhje me këtë ngjarje, as e njoh Santiago Malkon”.

Gjatë seancës, Blendi Teta ka kërkuar që të bëjë dhe një deklarim shtesë.

Blendi Teta

“Dua të sqaroj e nderuar gjykatë, që edhe pse e dija që isha në kërkim për lotot, unë lëvizja. Në datën 8 ose 9 shtator të vitit 2019, Ervis Martinaj ka kërkuar të më takojë. Për këtë gjë ai me ka sjellë për të më takuar një nga çunat e tij me emrin Arbër. E kam takuar Martinajn po atë ditë tek ETC, në një lokal në kat të dytë. Ai ishte aty me disa nga anëtarët e grupit të tij mes tyre edhe Erigers Mihasi. Aty Martinaj më tregoi videon time kur po prisja taksinë pranë spitalit. Aty më kërcënuan dhe më kërkoi të tregoj për vëllezërit Duka.

Më pas më kanë marrë dhe nën kërcënimin e armëve më kanë dërguar në një bodrum në Sauk. Aty më kanë kërcënuar duke më thënë të tregoja se kush ishte i përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos dhe se ku rrinin vëllezërit Duka. U kam sqaruar se nuk di asgjë. Ervis Martinaj dhe grupi i tij më kërcënuan se do më vrisnin dhe do më murosnin. Më pas ata më kanë lënë të lirë. E nderuar Gjykatë dua që t’i bëj një pyetje prokurorit. A mund të më thoni kush është personi me pseudonimin ‘Tigri’ tek SKY ECC që ka dhënë 500 mijë euro për të fundosur vëllezërit Duka”?

Gjykata i kërkoi shpjegime Blendi Tetës për këto informacione dhe u shpreh se i ka mësuar duke qenë se ka 4 vite në burg për këtë çështje. Teta e ka kundërshtuar vazhdimisht dënimin e tij, duke pretenduar se dëshmia që ai ka dhënë në fazën hetimore i është marrë në mënyrë të padrejtë. Por ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Apelit, në vendimin që la në fuqi dënimin e tij me 25 vjet burg, ka argumentuar me prova, fakte dhe dëshmi, përfshirjen e tij në grupin e strukturuar kriminal, që realizoi vrasjen e Santiago Malkos.

“Gjërat Tona” ka siguruar dosjen hetimore dhe sot publikon dëshmitë dhe provat që hedhin dritë mbi vrasjen për hakmarrje të Santiago Malkos dhe planet e dështuara për eliminimin e Ervis Martinajt. Ngjarjet e mëparshme që kanë ndodhur para vrasjes së Malkos dhe lidhja mes tyre.

27 Qershor 2018

Plagosen tre persona në Kinostudio,

Santiago Malko u hetua si autor i dyshuar

Në një lokal në Kinostudio, plagosen dy vëllezër: Juxhin Hamajezi dhe Rivelino Mumajesi.  Banorët e zonës raportuan mbi 15 të shtëna armësh, që vinin nga një lokal bastesh në brendësi të lagjes. Përveç dy vëllezërve 36 e 24 vjeç, aty u plagos edhe shtetasi Ibrahim Durollari, 28 vjeç. Pas ngjarjes, emri që u lakua si autor i dyshuar i ngjarjes ishte ai i Santiago Malkos. Në pamjet filmike të kamerave të lokalit, shihet njëri nga personat që qëllon, që sipas Policisë ishte Malko, ndërsa personi që e shoqëronte dyshohet Erigers Mihasi, i cili po ashtu është ekzekutuar në një tjetër atentat.

Në dosje thuhet se arma e përdorur në këtë ngjarje, është e njëjtë me një nga armët e përdorura në një tjetër ngjarje të ndodhur po në Tiranë. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më datë 10 nëntor 2017 në rrugën “Brigada 8”, zona e ish-Bllokut, hetuar për tentativë vrasjeje ndaj Erlis Dukës. Rezulton se në këtë ngjarje, Erlis Duka është plagosur me mjete të forta, por në vendngjarje është qëlluar edhe me armë zjarri, ku janë gjetur e sekuestruar 13 gëzhoja.

Dosja e Prokurorisë 

“Në kuadër të atij procedimi penal janë sekuestruar gëzhoja të qitura nga armë zjarri. Në aktin e ekspertimit tekniko-balistik ka rezultuar se: Gëzhojat, objekt ekspertimi të sekuestruara në vendngjarje janë identifikuar të qitura nga e njëjta armë që ka qitur 6 gëzhoja, nga 13 gjithsej, të sekuestruara në ngjarjen e plagosjes së shtetasit Erlis Duka. Në akte ndodhet edhe procesverbali i paraqitjes për njohje me anë të fotografive, ku vëllai i të plagosurit Ibrahim Durollari, ka njohur nga fotografia personin që kishte qëlluar me armë, duke identifikuar si të tillë, të ndjerin Santiago Malko”.

Nga ana tjetër, vetë njëri nga të plagosurit, Rivelino Mumajesi ka dhënë shpjegime për ngjarjen, por edhe për miqësinë me vëllezërit Duka.

Rivelino Mumajesi

“Unë nuk kam asnjë dyshim konkret në lidhje me plagosjen time, të vëllait dhe shokut tim. Nuk kam pasur asnjë konflikt apo problem me Santiago Malkon. Për këtë gjë dua të theksoj se shoku im, Leonard Duka më ka thënë pas ngjarjes së më kishte plagosur Santiago. Leonardi më shpjegoi se ai kishte konflikte me Santiagon për punë borxhesh për lotot dhe duke qenë se unë isha shoku i Leonardit dhe për këtë arsye ai më kishte qëlluar. Unë nuk e besoja se më kishte qëlluar Santiago pasi e njihja dhe kisha marrëdhënie shoqërore me të. Për këtë dyshim ndërhyri djali i tezes time, i cili e njihte edhe Santiagon dhe bisedoi mes palëve.

Santiago na tha se nuk kishte asnjë lidhje me plagosjen time dhe për këtë ai tha se do të betohej mbi Kuran, se ai nuk kishte asnjë lidhje me plagosjen time. Pas disa muajsh që unë isha plagosur dhe erdha nga Gjermania, unë dhe rrethi im familjar e lamë të takoheshim me Santiagon dhe rrethin e tij familjar për të bërë sqarimin e kësaj ngjarje. Unë i kam pasur shumë shokë Leonard Dukën dhe Erlis Dukën. Pasi unë jam plagosur dhe Leonardi më tha se më kishte plagosur Santiago, unë i thashë se do e sqaroja këtë problem.

Unë dhe Santiago e sqaruam këtë situatë me njëri-tjetrin dhe çdo gjë u sheshua mes nesh. Nuk kisha asnjë pikë dyshimi se nuk më kishte plagosur Santiago dhe as nuk kishte ndonjë lidhje me atë ngjarje. Këtë unë ia sqarova edhe Leonardit, se s’kisha dyshime tek Santiago dhe prej atij momenti nuk kam folur më me të dhe as nuk kam komunikuar me asnjë nga vëllezërit. Kjo prishje e shoqërisë tonë erdhi pikërisht prej faktit se unë e sqarova se nuk kishte asnjë lidhje Santiago me plagosjen time, ndërsa Leonardit nuk i pëlqeu kjo gjë.

Që prej ditës që unë jam pajtuar dhe kam sqaruar situatën me Santiagon nuk kam folur apo kontaktuar as me Leonard Dukën, as me vëllain e tij Erlis Duka. Unë di se Santiago me vëllezërit Erlis dhe Leonard Duka kanë qenë shokë pasi punonin bashkë në biznesin e lotove sportive. Më pas marrëdhëniet mes tyre janë prishur, pasi, sipas dijenisë time, kishin borxhe mes tyre. Pas vrasjes së Santiagos unë kam dëgjuar se konflikti mes Leonard e Erlis Dukës dhe Santiago Malkos kanë qenë të ashpra, pasi Santiago thuhet se u kishte marrë peng babanë. Nuk di më shumë, edhe këtë të fundit e kam dëgjuar në media apo thashetheme në lagje…”

Maj  – Gusht 2019

Tre persona gjurmojnë lëvizjet e

Ervis Martinajt për llogari të vëllezërve Duka

Pjesë e shqyrtimit gjyqësor të autorëve të dyshuar për vrasjen e Santiago Malkos, kanë qenë edhe aktet e procedimit penal nr.751 të vitit 2019, të Prokurorisë së Vlorës për “Vrasje në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë. Procedim që bën fjalë për ngjarjen e datës 10 maj 2019, kur  në afërsi të Bar “OSLO” në qytetin e Vlorës, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasve Ines Hajrulla, Ervis Matodoshaj e Arbër Sholla.

Dosja e Prokurorisë

“Nga transkriptimet e bisedave telefonike të përgjuara në kuadër të atij procedimi penal, konkretisht bisedës së datës 15 qershor 2019 mes Dejvison Serjanit dhe të fejuarës së tij Nensi Shaqiri, që ka një agjenci udhëtimesh, si dhe dëshmitë para gjykatës të shtetasve: Ardjan Ahmeti, Dejvison Serjani, Nensi Shaqiri e Daut Elmazi, provojnë se që prej muajit Maj 2019 e deri një javë para ndodhjes së vrasjes së Santiago Malkos, bashkë me Fatmir Hysenin, Leonard Dukën dhe Erlis Dukën kishin siguruar informacione rreth vendndodhjes dhe lëvizjeve të shtetasit Ervis Martinaj  (lidhje shoqërore e shtetasit Santiago Malko), për ta eleminuar fizikisht atë. Ata i kanë ofruar lekë dhe i kanë paguar shuma të hollash Daut Elmazit, që ky i fundit t’u siguronte informacione përmes Dejvison Serjanit e Nensi Shaqirit. Daut Elmazi, Dejvison Serjani, Nensi Shaqiri e Ardjan Ahmeti, gjatë dëshmisë së tyre para gjykatës e mohuan këtë fakt. Por Dejvison Serjani e Nensi Shaqiri nuk mohuan njohjen e Fatmir Hysenit, të cilin e kishin takuar nëpërmjet Daut Elmazit. Dëshmitarja Nensi Shaqiri deklaroi se u kishte bërë bileta për jashtë shtetit, si Fatmir Hysenit edhe Ervis Martinaj”.

Nensi Shaqiri ka pranuar se në këmbim të informacioneve do të përfitonin shpërblim në para. Rezulton se në dy raste është dhënë informacion lidhur me planet e udhëtimit të Ervis Martinaj. Një herë informacioni i është përcjellë shtetasit Fatmir Hyseni, për një futurim të Martinajt me itinerar Prishtinë-Stamboll-Dubai. Ndërsa herën tjetër informacioni i është përcjellë Leonard Dukës, për një fluturim me itimerar Athinë-Stamboll-Valencia.  Sipas deklarimeve të Nensi Shaqirit, Leonard Duka i ka paguar asaj dhe Dejvison Serjanit shumën prej 30 mijë euro.

Nensi Shaqiri

“Në vitin 2019 kam pasur një agjenci turistike timen, te rruga “Sami Frashëri”, me emrin “Genza”. Isha administratore. Punoja vetë. Unë punoja me të gjitha agjencitë e Shqipërisë në atë periudhë. Ervis Martinaj nuk është emër që nuk mbahet mend. Vizat e Dubait që i kam bërë i mbaj mend dhe është hera e parë që kam bashkëpunuar me “Ballkan…”. Daut Elmazi është kushëriri i bashkëjetuesit tim. Doqja, saktësisht Fatmir Hyseni dhe Theodhori Velo i njoh, ju kam prerë një biletë nëpërmjet Dautit. Kanë ardhur personalisht  për të sjellë pagesën. Me Fatmirin s’kam pasur komunikim fare, thjesht më ka dhënë pagesën në prani të Dautit…”

Dejvison Serjani

“Bashkëjetoj me Nensi Shaqiri. Ajo ka pasur agjencinë e vet përballë Drejtorisë së Policisë Tiranë. Daut Elmazi është djali i dajës. Përmes Dautit kam pasur rast të takohemi me Fatmir Hysenin dy herë nga Marsi dhe Maji. Nensi Shaqiri i ka prerë një biletë nëpërmjet Dautit. Nga Shqipëria për në Spanjë, nuk e mbaj mend mirë. Ardjan Ahmeti është kushëriri im… Nuk kam qenë i pranishëm në biseda që janë bërë mes Dautit, Doqes dhe Nensi Shaqirit, ku është folur për Ervis Martinajn. Siç thashë, kemi një proces gjyqësor në Vlorë dhe kemi dhënë një deklaratë në kushtet e presionit policor. Kam bërë 7 muaj burg në lidhje me deklaratën që kam bërë”.

Nga ana tjetër në dosje shpjegohet edhe roli i Ardjan Ahmetit. Ai ka punuar si specialist IT në Drejtorinë e Policisë Durrës si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në periudhën 2015-2019. Sipas deklarimeve të tij, rezulton se Daut Elmazi e ka lidhur me Fatmir Hysenin. Dauti i ka kërkuar Ardjanit që të prezantohet tek Fatmir Hyseni si punonjës policie dhe t’i thotë që ai po siguron informacione lidhur me lëvizjet jashtë territorit te Shqipërisë të Ervis Martinaj. I ka premtuar edhe shpërblim në para për këtë shërbim. Ardjani është takuar me Fatmir Hysenin dhe i ka komunikuar porosinë e Dautit.

Nga takimi që ka pasur me Fatmir Hysenin, Ardjan Ahmeti ka marrë një telefon celular “Enkro”. Ndërsa Dauti i ka thënë se informacionet lidhur me lëvizjet e Ervis Martinaj po siguroheshin prej Nensi Shaqirit dhe Dejvison Serjanit. Nga transkriptet e përgjimeve telefonike datë 15 qershor 2019 rezultojnë edhe konfirimet e deklarimeve të shtetasve Dejvison Serjani, Nensi Shaqiri dhe Ardjan Ahmeti.  Në kuadër të këtij procedimi, është kërkuar ndihmë nëpërmjet letër –  porosive nga ana e autoriteteve Turke për të konfirmuar fluturimet dhe akomodimin për shtetasit Ervis Martinaj, Leonard Duka, Erlis Duka, Fatmir Hyseni, Igli Memaj, Gentjan Dautaj (Zoto). Nga kthim-përgjigjet e administruara në fashikull rezulton se këta shtetas kanë udhëtuar në të njëjtat data respektive kur supozohet që të realizohej atentati që po planifikohej. Edhe akomodimi i tyre rezulton në të njëjtin vend. Megjithatë për shkak të mos koordinimit siç duhej, Ervis Martinaj i shpëtoi atentatit të organizuar.

27 Gusht 2019

Ekzekutohet brenda makinës së tij Santiago Malko

Pasi u dështoi disa herë plani për të ekzekutuar Ervis Martinajn, grupi i krijuar nga vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, më 27 gusht 2019 organizoi atentatin ku mbeti i vrarë njeriu u besuar i tij, Santiago Malko.

I dënuari Blendi Teta, në dëshminë e dhënë gjatë fazës së hetimeve, që ndonëse e mohon pjesërisht, Gjykata e ka konsideruar të vlefshme, ka treguar se ka qenë duke darkuar në bodrumin e një lokali, në zonën e Freskut, në afërsi të teleferikut. Lokali është në pronësi të vëllezërve Leonard dhe Elris Duka. Atë ditë kanë qëndruar në bodrumin e këtij lokali, ku ndodhet një ambient që shërben si zyrë.  Sipas dëshmisë së Blendi Tetës, rreth orës 20:00, Leonardi dhe Erlisi kanë thënë: “Çohuni çuna se kemi punë.” Kanë dalë të gjithë bashkë dhe kanë hipur në dy makina. E para “Golf 5”, ngjyrë gri dhe e dyta, “Skoda”, që u gjet e fshehur në një parkim pranë drejtorisë së ish-pyjores në rrugën “Dalip Topi”.

Në vendin e parë të Skodës, është ulur Blendi Teta. Makina ka lëvizur nga Fresku të IKV, te Komisariati i Qarkullimit Rrugor, ka dalë në rrugën “Myslym Keta” dhe më pas ka marrë drejtimin te Komisariati nr.4.  Aty ka mbërritur edhe Golfi. Në pak minuta, makinat kanë ecur në drejtim të kryqëzimit të Alliasit, më pas kanë vazhduar lëvizjen në rrugën ngjitur me murin e shkollës së Bashkuar në drejtim të Oxhakut. Aty janë kthyer djathtas në rrugën Kongresi i Manastirit në drejtim të SHISH. Lëvizjet e automjeteve janë fokusuar në pjesën më të madhe nga kamerat e sigurisë së bizneseve të ndryshme. Kur “Skoda” ndodhej tek spitali nr.5, njëri nga personat në makinë, i ka kërkuar shoferit të ndryshojë drejtimin e lëvizjes, duke i thënë: “ktheje se ka parkuar te kazanët”. Në rrugën “Xhanfize Keko”, ata kanë parë makinën “BMW X5”. Më pas, Blendi Teta thotë se është larguar drejt shtëpisë pasi ka kuptuar se diçka e keqe do ndodhte.

Dinamika e ngjarjes është zbardhur përmes kamerave të sigurisë. Më 27 janar, në Gjykatën e Posaçme u shfaqën për herë të parë pamjet filmike të kamerave të sigurisë që kanë fiksuar vrasjen e Santiago Malkos. Ngjarja është fiksuar nga kamera e një lavazhi ne zonën e Porcelanit, ku duket makina e atentatorëve. Nga pamjet që u shfaqën në seancën gjyqësore, duket që autorët fillimisht i kanë bërë shenjë me drita Malkos për të ndaluar.

Në momentin që ai ndalon ata e qëllojnë me breshëri kallashnikovi nga brenda makinës. Më pas makina “BMW X5”, ku ishte Saniago Malko lëviz për disa sekonda dhe përplaset me kazanën e mbeturinave.

Sipas dosjes hetimore, ekzekutor dyshohet të jetë Fatmir Hyseni nga Vlora, i shpallur në kërkim. Ndërkohë që akuzohen si organizatorë vëllezërit e klanit Duka, Leonard dhe Erlis Duka, për të cilët prej pak kohësh ka nisur gjykimi në mungesë.

Santiago Malko dyshohet se u ekzekutua nga grupi rival i Ervis Martinaj, për shkak të lidhjeve të afërta me këtë të fundit. Nga përfundimi i hetimeve ka dalë se shkaku i vrasjes së tij ishte rivaliteti në biznesin e paligjshëm të lotove sportive. Pas arrestimit të Leonard Dukës në Belgjikë në muajin Shkurt, tashmë në kërkim vijon të jetë vëllai i tij Erlisi dhe 3 persona të tjerë.

Në vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, që dënoi përfundimisht me 25 vjet burg Blendi Tetën, thuhet se:

Provat e këtij gjykimi në mënyrë të saktë dhe rrjedhë të qartë kronologjike ndërtojnë rrethanat e vrasjes së Santiago Malkos. Rrethana që nxjerrin në dukje piketat e planit të hartuar kriminal, nxitur nga motive të hakmarrjes, detajet e ekzekutimit të tij, duke vijuar me veprimet e secilit autor të përfshirë, identifikuar si organizatorë vëllezërit Leonard e Erlis Duka si ndihmës, i pandehuri Blendi Teta ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë në rolet përkatëse ekzekutorë apo ndihmës.

Të dhënat e njoftuara nga dëshmi, deklarime gjatë hetimit të të pandehurit në këtë gjykim, Blendi Teta dhe të bashkëpandehurve me të në një procedim të lidhur, janë në harmoni me ato të përftuara nëpërmjet veprimit të këqyrjes, sekuestrimit, apo ekspertimit dhe që në mënyrë të padyshimtë njoftojnë faktin se vrasja e Santiago Malko, nuk ka qenë rrjedhojë e veprimeve momentale, rastësore të autorëve të saj, por ecuri e një historie të mëparshme mes tyre.

Si prova të këtij gjykimi, Apeli i Posaçëm ka konsideruar deklarimet që u janë marrë personave të dëmtuar dhe dëshmitarë në lidhje me plagosjen e 3-fishtë në Kinostudio në qershor të vitit 2018. Dëshmi që njoftojnë se gjatë ushtrimit të veprimtarisë së pa licencuar “Loto Sport”, Blendi Teta ka krijuar njohje dhe marrëdhënie biznesi me të bashkëpandehurit në një procedim të lidhur Leonard e Erlis Duka. Të njëjtat prova dëshmojnë se pjesë e të njëjtit aktivitet, së bashku me vëllezërit Duka, kanë qenë më herët ndër të tjerë Ervis Martinaj dhe viktima, Santiago Malko, derisa balancat mes tyre u prishën dhe u krijua një hendek nga rivaliteti në aktivitetin e paligjshëm “Loto Sport”.

Gjithashtu janë konsideruar si provë në këtë proces edhe aktet e ekspertimit të ngjarjes së nëntorit 2017, ku u plagos në Tiranë, Erlis Duka, si dhe transkriptet e përftuara nga bisedat mes të pandehurve të ngjarjes së Majit 2019, që u hetua nga Prokuroria e Vlorës. Edhe në këtë rast, Provat dëshmojnë se në aktivitetin e palicensuar të organizimit të lotarive sportive ishin krijuar dy grupime me interesa të kundërta, njëri prej të cilëve drejtohej nga vëllezërit Duka, ndërsa në grupin rival ishte përfshirë viktima Santiago Malko, konfliktet mes të cilëve ishin përshkallëzuar deri në ngritjen e pritave me armë, në një prej të cilave është identifikuar se ishte përfshirë aktivisht viktima.

Gjykata shprehet se vrasja e Santiago Malkos ka qenë pjesë e planit të grupit që drejtohej nga vëllezërit Duka për t’u hakmarrë ndaj grupit ku viktima bënte pjesë si dhe personalisht ndaj tij.

Vendimi i Gjykatës

“Në funksion të këtij plani të paramenduar autorët, të paktën 9 të tillë, janë strukturuar si një grup kriminal, ku qartësisht kanë ndarë detyrat dhe kanë siguruar të paktën tri armë zjarri, sikundër dëshmojnë  armët e gjetura në automjetin e djegur dhe gëzhojat e sekuestruara në vendngjarje dhe tri mjete, konkretisht automjetin tip ‘Volkswagen Golf 5’ me targë AA221XB, me dokumentacion në pronësi të Ervis Metanit, automjetin tip ‘Skoda Roomster’ me targa AA275YD, me dokumentacion në emër të Kiara Meçes dhe automjetin tip ‘Mercedes Benz CLK’ me targa AA434LX, i vjedhur kohë më parë në Fushë-Milot (Kurbin), nga i cili edhe u qëllua me pasojë fatale drejt viktimës”.

Në vendimin e saj, Gjykata e Posaçme e Apelit shprehet se, është provuar që pjesë e këtij plani të paramenduar kriminal është bërë edhe Blendi Teta, i cili i dakordësuar me organizatorët, ka marrë përsipër kontributin e sigurimit të informacioneve dhe mbikëqyrjes së lëvizjeve të viktimës Santiago Malko, të paktën një javë para ngjarjes dhe ditën e ndodhjes së saj. Dëshmia e nënës së Santiago Malkos, Bukurije Malko, se pikërisht ditën e ngjarjes, djali i saj kishte shtruar në spitalin Pediatrik fëmijën e tij të sëmurë, vend ku në orët e vona të mbrëmjes dhe ndodhi ngjarja, tregon se autorët e ngjarjes, monitoronin në mënyrë të sigurt lëvizjet e viktimës.

Nëna e Santiago Malkos ka treguar në dëshminë e saj në gjyq edhe episodin kur ka fiksuar një person, që ajo e identifikoi si Blendi Teta, që i ka ndjekur kur ishte bashkë me të birin.

 Bukurije Malko

“As një javë më parë se të ndodhë ngjarja, do merrnim materiale për marketin dhe ky person (duke ju referuar të pandehurit) na ka ndjekur me makinë, tek rruga, rrethrrotullimi tek “Shqiponja”. Ky (drejtohet nga i pandehuri) ka zbritur nga makina dhe afër derës, i them unë djalit kur u futëm brenda në makinë, se ky i shëndoshi rri mbrapa dhe djali më tha “Po ik o ma se kështu fiksohesh ti”. Ky person mua mu fiksua, se na ka ndjekur deri tek marketi. Sa ikëm nga aty erdhi mbrapa nesh. Vetëm se e kam me fytyrë se na ka ndjekur nga mbrapa. Emrin e tij e mësona në televizion”.

Gjykata argumenton se, ndryshe nga ç’pretendohet nga mbrojtja e Blendi Tetës, darka e organizuar në zonën e Freskut, në restorantin “La familia”, vend familjar për vëllezërit Duka, nuk ishte rastësore dhe as me qëllimin e thjeshtë të darkimit. Por zhvillohej me qëllimin e takimit të anëtarëve të grupimit për të saktësuar detajet e fundit, në pritje të sulmit përfundimtar, për të cilin provat dëshmojnë se ishte llogaritur me saktësi dhe është ekzekutuar me përpikmëri të lartë.

Dosja e Prokurorisë

“Autorët, të ndarë në tre automjete, një prej të cilëve ai tip ‘Skoda Roomster’ me targa AA275YD, ndoqën lëvizjet e viktimës, parkuan pranë automjetit të tij ‘BMW X5’ me targë AA153OO, derisa në kohën mes orës 22 :18 – 22 :21, kur sapo ai ka dalë nga Spitali Pediatrik dhe është futur në makinën e tij për t’u larguar, autorët ekzekutorë nga automjeti ‘Mercedez Benz CLK’ që i është afruar paralelisht shumë afër, kanë hapur zjarr në drejtim të tij duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme”.

Vendimi i Gjykatës

“Ky kolegj i Gjykatës së Apelit, duke i qëndruar të njëjtës linjë si Gjykata e Shkallës së Parë, arsyeton se të çmuara në tërësinë e tyre, provat, në mënyrë të padiskutueshme kanë fuqinë të provojnë ekzistencën e vrasjes së paramenduar të Santiago Malkos, më datë 27 gusht 2019, nga një grup i organizuar personash në përbërje të të cilit ishte, përveç të tjerëve dhe i pandehuri i këtij gjykimi Blendi Teta. Nga ana tjetër, këto prova kanë fuqinë provuese të vërtetimit që, fakti penalisht i dënueshëm i vrasjes së paramenduar të kryer për hakmarrje ka ndodhur sipas një plani të paraparë kriminal, për të cilin qëllimisht është krijuar grupi i strukturuar kriminal, për të privuar nga jeta Santiago Malkon, fakt i njoftuar nga provat e shqyrtuara hollësisht si nga ky kolegj, ashtu dhe ai i gjykatës së shkallës së parë të gjykimit”.

Blendi Teta tashmë po dëshmon në procesin e veçuar që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme, për të njëjtën çështje për të cilën ai është dënuar, por ky bëjnë pjesë anëtarët e tjerë të grupit. Ata që janë ende në kërkim, vëllezërit Leonard e Erlis Duka, Fatmir Hyseni, Oltian Loga, Aleksandër Manxhaku dhe Dritan Agaj. Seanca e radhës është njoftuar për në datën 19 dhjetor.

Leonard Duka, një nga njerëzit më të kërkuar nga Policia shqiptare, u arrestua më 14 shkurt 2023 në Belgjikë. I konsideruar si armiku më i ashpër i Ervis Martinajt, i zhdukur që prej datës 9 gusht të vitit 2022, Duka ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Të gjithë e dinin në Dubai, vend ku kanë gjetur strehë shumë të kërkuar të tjerë. Por Leonard Duka u prangos në një provicë të Brukselit, nga ku edhe pritet të ekstradohet.  Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua pas informacioneve të skuadrës policore “Fast Albanai”, që kishin zbuluar se Duka fshihej në një banesë private.  Në bashkëpunim me Interpolin dhe homologët belgë, u arrit arrestimi i tij.  Leonard Duka aktualisht po gjykohet për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, një nga njerëzit më të besuar të Ervis Martinajt.

Kur u zhduk afro 500 ditë më parë, Ervis Martinaj ishte shpallur në kërkim nga SPAK si i dyshuar për urdhërimin e një vrasje e sigurimin e kushteve për kryerjen e saj. I kërkonte Nuredin Dumanit, eliminimin e Endrit Dokles.

Kjo ishte arsyeja që u në tavolinë u hodhën tri karta. E para ishte ajo e inskenimit, meqenëse ishte shpallur në kërkim; e dyta ajo e pengmarrjes; e treta e vrasjes. Të dy këto të fundit lidhen me rivalitetin e armiqësitë që kishte krijuar.

Por ende, as sot, nuk dihet asgjë me siguri. Edhe pse i zhdukur fizikisht, emri i tij gjatë kësaj kohe është lakuar më shumë se kushdo tjetër. Në dosjet më të rëndësishme që SPAK ka në dorë kohët e fundit, renditet emri i Ervis Martinajt. Ashtu sikurse rezultoi në dosjen “Metarorfoza”, ku doli në skenë një tjetër vrasje që u krye në emër të tij e një tjetër që do realizohej nga ai, por dështoi. Në këtë dosje, ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes me paramendim, lidhur me ekzekutimin e Gjin Boriçit, më datë 9 gusht 2020 në Shkodër; sigurim i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, lidhur me tentativën për të vrarë Kleant Musabelliun, si dhe armëmbajtje pa leje. Vepra penale këto të kryera në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Së fundmi emri i tij u përmend në sallën e gjyqit, nga i dënuari Blendi Teta. Por teksa dëshmi nga personazhe të ndryshëm, mund të shihen me dyshim, për komunikimet e aplikacionit SKY duket se nuk ka vend për të dyshuar. Emri i Ervis Martinajt del edhe aty. Ai kishte në përdorim PIN-in NP8LS4. Deri tani SPAK ka zbardhur një pjesë të mesazheve që janë nisur drejt tij, por jo ato që vetë Ervis Martinaj ka shkruar. E duket se kjo tashmë është vetëm çështje kohe. Si zbardhja e mesazheve, ashtu edhe zbulimi i misterit të zhdukjes së Ervis Martinajt.

/Emisioni “Gjërat Tona