Nardi Ismet Idrizi, është shqiptari i shpallur në kërkim nga policia greke pasi akuzohet për plagosjen e tre të rinjve në Gazi, Athinë.

37-vjeçari në bashkëpunim me një 33-vjeçar shqiptar, të arrestuar tanimë, ka qëlluar me armë zjarri tre të rinjtë nga Kreta para një lokali ku kishte edhe shumë kalimtarë. Dëshmitarët në vendngjarje thonë se qëllimi i shqiptarëve ishte vrasja e tre të rinjve, por nuk ende nuk dihet motivi i kësaj krimi.

Nardi Ismet Idrizi, 37 vjeç, ka lindur në Durrës dhe banon në Vlorë. Ai njihet ndryshe edhe si Fatbardh Idrizi. Vëllai i tij, Leonard Idrizi ka qenë pjesë e bandës së “Coles” në Vlorë dhe është vrarë. Pas vdekjes, 37-vjeçari ka marrë emrin e të vellait.

Idrizi është deportuar dy herë nga Greqia por është kthyer sërish atje.

Në 15.07.2013, Nardi Idrizi është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda me 13 vjet e 4 muaj burg, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Isuf Lamaj, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Besnik Brahimaj, “Vjedhja me armë” kryer në bashkëpunim, në ngjarjen e datës 23.08.2012 te karburant “A”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Vjedhja me dhunë” në dëm të shtetasit Viktor Gjoleka, “Vjedhja me armë” kryer në bashkëpunim, në ngjarjen e datës 11.05.2012 të Kazino “F”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Vjedhja e bankave” kryer në bashkëpunim (në ngjarjen e datës 13.12.2010), “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.

Idrizi rezulton i arrestuar në Vlorë në gusht 2012 dhe i liruar para disa kohësh nga burgu. Në vitin 2022 është zbuluar se ky shtetas ka përfituar ulje të paligjshme dënimi në burgun e Fierit gjatë vitit 2020, pasi Prokuroria hetoi një skemë shpërdorimi detyre në këtë burg.