Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë, i cili po bashkëpunon me SPAK për zbardhjen e disa prej ngjarjeve më të rënda kriminale, së fundmi ka rrëfyer një tjetër detaj mbi atë që njihet si masakra e Bradasheshit.

Sipas raportimeve, përballë hetuesve të BKH-së, Dumani ka pohuar se në atentatin e trefishtë në Bradashesh, ku u ekzekutua Indrit Alibej dhe Arben Dylgjeri, vëllai dhe xhaxhai i Erjon Alibejt dhe një shtetas turk ka qenë i përfshirë edhe vëllai i tij, Dashamir Dumani.

Sipas tij, për këtë ngjarje vëllai i tij ka informacione dhe se vetëm ai mund të japë sqarime më të detajuara për atentatin që tronditi jo vetëm Elbasanin, por të gjithë vendin. Në deklarimet e tij Dumani është shprehur se vëllai i tij ka marrë pjesë në këtë ngjarje.

Gjithashtu, gjatë ballafaqimit që ka patur me Fatos Gosën, një nga të arrestuarit e dosjes “Plumbi i Artë” si informator në ekzekutimim e Andi Zylyfit në Peqin, Dumani ka treguar përpara hetuesve, se ai ka patur rolin e informatorit edhe në vrasjen e trefishtë të Bradasheshit në Elbasan.

Por, Gosa e ka kundërshtuar atë, duke u shprehur se ai nuk ka informacion me këto ngjarje dhe se nuk ka asnjë njohje me Nuredin Dumanin.

Por, përpara hetuesve ai nuk e ka mohuar njohjen me Talo Çelën, ai është shprehur se ka një lokal në Peqin, ku aty mblidhenin gjatë fushatave për takime zgjedhore.