Parlamenti Europian miratoi një rezolutë për të dënuar në termat më të ashpra “sulmin burracak terrorist të paramilitarëve serbë ndaj policisë së Kosovës”. Në dokumentin e përpiluar nga 5 grupime të ndryshme politike, kërkohet nga institucionet e Bashkimit Europian që të vendosin masa ndëshkuese ndaj Serbisë, nëse në hetime konfirmohet përfshirja e këtij shteti në agresionin e armatosur të 24 shtatorit në Banjskë, trazirat e majit dhe nëse refuzon bashkëpunimin.
“Parlamenti Europian, i bën thirrje Komisionit që të ngrijë fondet e parashikuara për Serbinë nën instrumentin e Asistencës së Para Anëtarësimit, nëse përfundimet e hetimit tregojnë që shteti i Serbisë është përfshirë drejtpërdrejtë në këto sulme”, thuhet në rezolutën e miratuar në Parlamentin Europian
Gjithashtu kërkohet nga BE që të heqë masat e vendosura ndaj Kosovës pasi konsiderohen të padrejta. Theksohet që “marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi jo më larg se 1 janari i vitit 2024”. Serbisë i bëhet thirrje në rezolutë që të bashkëpunojë plotësisht në hetimet për sulmin e Banjskës, ndërsa kritikohet vendimi për lënien e lirë të organizatorit, Milan Radoiçiç, nga drejtësia serbe.
Në një deklaratë pas miratimit, eurodeputetët thonë se po ndjekin nga afër zhvillimet dhe kërkuan ekstradimin e Radoiçiç për në Kosovë. Dënuan sjelljen agresive ushtarake dhe mesazhet e politikës radikale në Serbi, duke i cilësuar si tregues të përfshirjes së shtetit në dhunën e fundit në veri të Kosovës.
“Kjo tregon që qeveria e Serbisë po ndjek një politikë shumë të rrezikshme, por koherente, lidhur me Kosovën dhe partnerët e saj Perëndimorë. Eurodeputetët janë të shqetësuar nga provat që i lidhin grupet kriminale në Veri të Kosovës dhe në Serbi, me shtetin e Serbisë”, thuhet ndeklaratën e Parlamentit Europian.
Në rezolutë, Parlamenti Europian i bën thirrje Serbisë që të tërheqë të gjitha bazat ushtarake të vendosura pranë kufirit me Kosovën. Mes tjerash, ligjvënësit kërkuan rikthimin e palëve në dialog, raportim nga ndërmjetësuesit Borrell dhe Lajçak deri në fund të vitit, balancim të qasjes së tyre duke braktisur metodën e përkëdheljes së Serbisë, zgjedhje të reja në katër komunat në veri të Kosovës dhe që palët të punojnë për paqen.