Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia deri më 1 shtator dhe ka thënë se pret që bllokadat e vendosura nga serbët në veri të largohen menjëherë.

”Mirëpresim vendimin e Kosovës për shtyrjen e afatit deri më 1 shtator. Presim që të gjitha pengesat të hiqen menjëherë. Çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe fokusimi në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për rrugët e tyre të integrimit në BE” ka shkruar Borrell në Twitter.

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë për një muaj vendimin për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit, kjo pasi serbët vendosën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Shtyrja për implementimin e vendimit për reciprocitet me dokumente karshi Serbisë erdhi nga kërkesa e SHBA-së.

Kjo kërkesë u përcoll nga ambasadori Jeff Hovenier, në një takim urgjent në orët e vona me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe dy zv.kryeministrat, Bislimi dhe Gërvalla.