Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të lejohet që barrikadat në veri të qëndrojnë edhe shumë gjatë, dhe se për këtë temë janë në koordinim të rregullt me KFOR-in.

Kështu tha ai pas ceremonisë së fillimit të punimeve të fazës së dytë për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore Fushë Kosovë-Mitrovicë.

“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në, koordinim, në komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensiv me KFOR-i dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë”, tha ai

I pyetur rreth kërkesës së, të cilën e ka dërguar në KFOR, lidhur me dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, ai tha se kjo është kërkesë jo reale, e cila “flet më shumë për ata sesa për vendin tonë”.

“Kurrë nuk ka pasur nevoje për ushtarë serbë në Republikën e Kosovës, kurrë nuk ka pasur nevojë për ushtarë serbë në shekullin e 20-të e as 19-të, tash kërkesa e tyre më shumë tregon se ata kanë ngelur në shekullin nëntëmbëdhjetë dhe njëzet”.

“Natyrisht që NATO do të jetë kundër e po ashtu edhe ata e kuptojnë shumë mirë se nuk kanë ku të vijnë në Kosovë ata ushtarë të gjorë serbë, të cilët këta pretendojnë se t’i sjellin në vendin tonë. Pra më shumë është shprehje e pafuqisë sesa fuqisë së tyre”, tha ai.