Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka mbërritur mbrëmë në Rinas, ndërsa është nisur drejt Tiranës. Mësohet se Zelensky u transportua në një “Mercedez Benz” të blinduar, një mjet i sigurisë së lartë, ndërsa në gadishmëri janë vendosur 1.600 efektivë të forcave të ndryshme të sigurisë.
Kjo është një vizitë historike pasi presidenti i një vendi në luftë siç është Ukraina, vjen pikërisht në Shqipëri, një vend i cili dikur ofronte destabilitet sot ofron siguri ndaj një personi të kërcënuar vazhdimisht nga Kremlini.
Zelensky u prit nga ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, ndërsa ditën e nesërme në kryeqytet do të zhvillohet Samiti për Ukrainën me vendet e Evropës Juglindore. Samit në të cilin do të marrë pjesë vet presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Për të pritur presidentin Zelensky janë marrë të gjitha masat e sigurisë nga strukturat shtetërore.
Për garantimin e rendit janë angazhuar Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat Speciale RENEA, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Drejtoria e Policisë Rrugore, në koordinim dhe drejtim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.