Temë e ditës së sotme në “Aldo Morning Show” në Tv Klan Ka qenë “Mjekët: Më mirë me rrogë sipas kualifikimit ose profilit, apo më mirë të paguhen nga pacientet në bazë të shërbimit?”
Telefonatën e parë për këtë temë e ka bërë mjeku i njohur Skënder Brataj, i cili shprehet se patjetër që në një institucion rroga është baza dhe është pro rrogës. Pastaj ka mënyra të tjera që një mjek të paguhet ekstra.
Brataj shprehet se e ka hedhur dhe si ide që një mjek të paguhet me rrogën që i jep shteti për 8 orë punë dhe më pas sipas dëshirës, t’i mundësohet një mjeku dhe puna jashtë orarit të punës brenda spitalit, ku të ketë pacientët e tij dhe pagesa të jetë më e lartë. Me këtë mënyrë mjeku ka lehtësira edhe në përdorimin e hapësirave të spitalit apo aparaturave.
Një mjek mund të mos e ketë mundësinë që të hapë klinikën e tij, për shkak të qirasë, taksave, pagesës së stafit e të tjera.
Kjo ide që ka thënë doktori ekziston në vende të ndryshme të botës, ku ai mori shembull dhe Italinë, ku ky shtet i mundëson mjekut të punojë brenda në spital jashtë orarit dhe të paguhej ekstra rrogës bazë.
“Rroga varet nga kostoja e jetesës në vendin ku jetohet. Sigurisht nuk mund të jetë njësoj me vendet evropiane ku niveli i jetesës është më i lartë. Por një minimum duhet të ketë sepse një mjek duhet të bëjë pjesë në shtresën e mesme. Ke një familje 3-4 persona, ke një makinë dhe një shtëpi dhe e dimë sa është kostoja e tyre”, është shprehur Brataj.