Bilal Murataj i cili pasditen e sotme qëlloi me armë nga automjeti i tij duke terrorizuar gjithë zonën e Bardhajve në njësinë Rrethina, Shkodër është arrestuar pas alarmit të banorëve. Në mbështetje për arrestimin e 43-vjeçarit shkuan dhe forcat RENEA.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Bardhaj ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, bashkë me shërbime të FNSh Shkodër, për të verifikuar rastin.
Nga verifikimet rezultoi se 43-vjeçari kishte qëlluar me armë zjarri, në ajër, duke terrorizuar banorët.
Në ndihmë të Policisë lokale shkuan dhe dy grupe të RENEA-s. Si rezultat i kontrolleve në territorin e fshatit, pas disa orësh, u kap 43 vjeçari që kishte qëlluar në ajër, me armë zjarri.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i është gjetur një sasi municioni luftarak, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me armën e zjarrit automatik që ai e kishte fshehur në pyll sapo ka parë që ishte rrethuar nga shërbimet e Policisë.
Në vijim të veprimeve procedurale, Bilali 43 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, u arrestua në flagrancë” njofton policia.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.