Bëhemi me dije, se reporteri i njohur ndërkombëtarisht, Muhamed Veliu, ka disa ditë që po i bie rreth e qark Ukrainës, duke kontaktuar njerëz me kombësi të ndryshme dhe veçanërisht shqiptarë, që banojnë në atë vend.
Muhamedi ynë, është dërguar në vendin më të rrezikshëm të botës sot, direkt nga televizioni Top Kanal, për të raportuar mbi situatën dhe luftën, që ndihet në ajër dhe mund të ndizet nga çasti në çast.
Nisur nga ky fakt, korespodenti i rubrikes tonë satirike Tej e Këtej, i shqetësuar tej mase, për shëndetin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e Metit në Ukrainë, ka lajmëruar menjëherë autoritetet e larta ruse, që të bëjnë kujdes dhe të ushtrojnë paqe, në të gjithë zonat ku kalon Muhamedi, respektivisht dy ditë para dhe dy ditë pas kalimit të Metit.
Autoritetet ruse, shumë të shqetësuara nga këto informacione, u mblodhën, diskutuan dhe pas konsultimeve të gjera, i dërguan korespodentit tonë këtë kabllogram:
“I dashur korespodent!
Sapo ne, morëm vesh zbritjen e Muhamedit në Ukrainë, njoftuam menjëherë Presidentin Tonë, Komandatin e Forcave të Armatosura, Zotin e të gjithë Rusisë, Vladimir Putin dhe ai ndërtoi, posaçërisht për Metin, këtë urdhër të prerë:
Zotërinj gjeneralë! Kudo ku shkel këmba e Muhamedit, që ka dërguar Tirana, të ndalohet çdo plan lufte, deri edhe çdo plan stërvitjeje!Urdhëroj njëkohësisht, që një grup ushtarak me uniformë civile, të shoqërojë Muhametin, kudo ku ai hedh hapin, por pa u kuptuar prej tij. Edhe kur Muhamedi të takohet me bashkëkombësit e tij, që banojnë në Ukrainë, të rritet vigjilenca, sepse e keqja e shqiptarëve, janë vetë shqiptarët!
-Fund i komunikimit – “
Ky kabllogram, e detyroi Met Veliun, që menjëherë të shtyjë për një afat të pacaktuar, kohën e pushimeve në Ukrainë.
Me këtë rast edhe autoritetet amerikane, posaçërisht Presidenti Biden, mbeti shumë i kënaqur kur e mori vesh, sepse më në fund, ashtu si padashur, u gjet ilaçi që rusët të mos sulmojnë Ukrainën!
Kështu, Muhamedi jonë, shpëtoi jo vetëm Ukrainën, por edhe botën mbarë, nga një shkatërrim i madh! /TPZ.al