Ish-presidenti Ilir Meta ka postuar në faqen e tij në Facebook një raport që thekson se pothuajse 70% e punonjësve shqiptarë hasin vështirësi në plotësimin e nevojave të tyre mujore.

Kjo është përqindja më e lartë në Europë, sipas një studimi të Komisionit Europian. Për këtë kryetari i partisë së Lirisë fajëson qeverinë Rama.

“Indeksi i rritjes së korrupsionit ecën paralelisht me indeksin e rritjes së varfërisë. Falë “Rilindjes” jemi të parët për korrupsion në kontinent dhe rajon ndaj jemi të parët edhe për nivelin e varfërisë dhe pamundësisë të dy të tretave të popullsisë për të përballuar jetesën.

Vetëm Ndryshimi, çkapja e shtetit dhe rivendosja e Llogaridhënies lufton varfërinë dhe rikthen shpresën për familjet shqiptare! 2023, VIT I NDRYSHIMIT!” shkruan Meta.