Ndahet nga jeta mjeku i njohur shqiptar, anëtari i Akademisë Ruse të Shkencave dhe qëndrestari ndaj sistemit komunist, Fadil Spahiu.
Lajmin e trishtë e bëjnë me dije miqtë dhe të afërmit e tij në rrjetet sociale, duke informuar se varrimi do të bëhet me 17.08.2023 në orën 12:00 në varrezat e Sharrës, Tiranë, ndërsa ceremoniali mortor do të mbahet tek “Alba” në rrugën e Dibrës, Tiranë.
Spahiu vuajti në burgje e tmerrshme të diktaturës, i dënuar dy herë. Ai u vendos për banim në Rusi, ku jetonte prej dekadash bashkëshortja e tij me djalin e vetëm.
Fadil Spahiu ishte profesor doktor, mjek kirurg me emër e famë të jashtëzakonshme, ishpallur disident dhe i persekutuar nga regjimi komunist.
Spahiu lind në më 21.3.1926, në Kolesjan të Kukësit, në familjen e shumënjohur e patriotike të Spahijve.
Në vitin 1937, kur ishte nxënës në gjimnazin e Shkodrës u arrestua për pjesëmarrje në demonstrata kundër qeverisë pushtuese italiane, por u lirua shumë shpejt.
Në pranverë të vitit 1941, filloi mësimet në gjimnazin e Gjirokastrës. Edhe këtu u përjashtua nga shkolla dhe u detyrua ta ndjek atë në Prishtinë, ku, përsëri, në vitin 1943, u kap duke shpërndarë trakte antiqeveritare. Kjo e detyroi të largohej dhe në qershor 1944, të radhitej në batalionin e Lumës e më pas në Brigadën XXIV Sulmuese.
Pas çlirimit, punoi në qarkorin e rinisë të Kukësit.
Në vitin 1946, arriti të diplomohej në gjimnazin Gjirokastrës, ndërsa në vitin 1948, nisi studimet mjekësore në Universitetin “Gorki” të Moskës, të cilat i kreu në vitin 1953. Këtu u specializua edhe për kirurgji. Aspiraturën e ndoqi në vitet 1954-1957, në ish bashkimin Sovjetik, ku u specializua dhe për onkologji.
Në ish Bashkimin Sovjetik, mbrojti gradën shkencore “Kandidat i shkencave” dhe u bë anëtar i Akademisë së Shkencave.
Në vitet 1957-1964, organizoi shërbimin e ortopedik në Tiranë.
Në vitin 1964, u arrestua nga regjimi komunist dhe u mbajt në burg për dy vjet e gjysmë. Gjithashtu, u përjashtua nga PPSH.
Pasi u lirua nga burgu, u dërgua të punonte si mjek në rrethin e Gramshit, ku qëndroi plot 10 vjet. Për shkak të qëndrimit të tij, të konsideruar në atë kohë si antiregjim, u arrestua përsëri dhe u dënua me 18 vite burgim.
Kohën e burgut doktori i talentuar e shkencëtari lumjan u detyrua ta kalonte në burgjet më të tmerrshme të kohës, si në Bulqizë, Batër të Martaneshit dhe Spaç.
U lirua nga burgu në vitin 1987, por pa të drejtë pune si mjek.
U largua përsëri në Rusi, ku kishte bashkëshorten ruse dhe djalin e tij, ku punoi në Qendrën Onkologjike të Akademisë Mjekësore të Rusisë.
Atje, në vitin 1992, mori titullin akademik “Profesor” dhe u zgjodh zëvendëspresident i shoqatës Kundër Kancerit në Rusi.