Ylli i “X Factor”, Tom Mann, zbuloi ditën e djeshme se e fejuara e tij, Danielle Hampson, kishte ndërruar jetë të shtunën, pikërisht në ditën e tyre të dasmës. Pasi dy herë u ishte shtyrë dasma, kjo ishte hera e tretë që po planifikonin që dashurinë e tyre ta kurorëzonin në martesë.
Madje disa kohë më parë, Danielle shkruante se mezi priste të martohet me partnerin e saj, por bota kishte plane të tjera.
“Mezi pres të martohem me ty, por bota ka plane të tjera. Të mendosh për atë që duhet të ishte sot është e çuditshme, por ne e konsiderojmë veten jashtëzakonisht me fat që një datë martese është gjithçka që kemi humbur. Të gjithë kanë një histori nga 2020…Pra tani për tani le të festojmë datën tonë të vogël të veçantë”, –shkruante dikur e fejuara e Tom Mann.
Nga ana tjetër, 28-vjeçari gjatë ditës së djeshme ndau një homazh prekës në “Instagram”, teksa zbuloi se dashuria e jetës së tij dhe nëna e djalit të tij tetë muajsh ndërroi jetë në orët e para të së shtunës.
“Nuk mund ta besoj që po i shkruaj këto fjalë, por e dashura ime Dani – mikesha ime më e mirë, gjithçka imja dhe më shumë, dashuria e jetës sime – vdiq në orët e para të mëngjesit të së shtunës, 18 qershor. Ajo që supozohej të ishte dita më e lumtur e jetës sonë përfundoi me një tragjedi që më theu zemrën. Ne kurrë nuk arritëm në altar; të bënim betimet tona, ose të kërcenim valsin tonë të parë, por ti e di që ti ishe e gjithë bota ime dhe gjëja më e mirë që më ka ndodhur ndonjëherë, Danielle. Unë do ta mbaj këtë unazë që duhej ta mbaja gjithmonë si shenjë e dashurisë sime të pakushtëzuar për ty. Jam plotësisht i thyer duke u përpjekur ta shkruaj këtë dhe sinqerisht nuk e di se ku të shkoj nga këtu, por e di që duhet të përdor çdo forcë që mund të mbledh për djalin tonë të vogël.
Nuk do të jem prindi që ti ishe bërë tashmë, por premtoj se do të bëj gjithçka për ta rritur Bowie ashtu siç kemi dashur gjithmonë. Të premtoj se ai do ta dijë se sa e mrekullueshme ishte mamaja e tij. Të premtoj të të bëj krenare. Personi më i bukur brenda dhe jashtë. Shpirti më i pabesueshëm. Ne kemi humbur një person kaq të veçantë dhe jam i sigurt se do të shohim dashuri që e pasqyron këtë. Do të përpiqem të gjej paqe në mesazhet dhe komentet tuaja, por tani jam i pikëlluar dhe do të jem për një kohë shumë, shumë të gjatë. E dashur Dani, drita më e ndritshme në çdo dhomë, bota ime nuk është gjë tjetër veçse errësira pa ty. Do të më mungosh përgjithmonë”, shkruante Tom.