Një 30 vjeçar u arrestua teksa qarkullonte me armë zjarri dhe ishte i shpallur në kërkim për vrasje me dashje e mbetur në tentativë.Në pranga ra Eljfat Saljiu, 30 vjeç, dhe u shpall në kërkim 1 tjetër.

U sekuestrua një armë zjarri pistoletë dhe municione.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7 në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe ato që qarkullojnë me armë zjarri, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për një shtetas në kërkim që qarkullonte i armatosur, me një automjet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Wanted”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit Arian Armani alias Eljfat Saljiu, 30 vjeç, banues në Shkodër. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi E. L., 27 vjeç, banues në Shkodër.

Shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Fushë Krujë – Vorë, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit të dyshuar me drejtues shtetasin E. L., dhe pasagjer shtetasin Arian Armani alias Eljfat Saljiu, por drejtuesi i tij nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen në drejtim të Vorës. Gjatë ndjekjes, nga automjeti ka zbritur shtetasi Arian Armani alias Eljfat Saljiu, ndërsa drejtuesi i automjetit së bashku me automjetin janë larguar.

Shtetasi Arian Armani alias Eljfat Saljiu, ka tentuar të largohet dhe të fshihet në ambientet e një hoteli në Vorë, dhe falë veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, është bërë kapja e tij në ambientet e hotelit. Gjatë kontrollit në ambientin e hotelit ku ky shtetas ka tentuar të fshihej, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se 30-vjeçari i arrestuar, ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit Shkodër, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.”- njofton policia.

Vijon puna për kapjen e shtetasit E. L.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.