Rastet e divorceve fatkeqësisht po dëgjohen çdo ditë e më shumë, por kur bëhet fjalë për njerëz të famshëm dhe të rëndësishëm lajmi merr përmasa të tjera.

Megjithatë jeta vazhdon ndaj me kalimin e kohës një pjesë e mirë e tyre ia ka dalë të krijojë marrëdhënie të tjera dhe në shumicën e rasteve personazhet e njohur ruajnë një raport korrekt me ish-partnerin/en, me të cilin/ën kanë edhe fëmijë.

Fatos Nano dhe Rexhina. Fatos Nano u divorcua nga Rexhina në vitin 2001, pas një martese që zgjati 27 vite, fryt i të cilës qenë dy fëmijë. Lajmi i divorcit bëri po aq bujë sa ai i martesës së dytë, pasi për herë të parë një njeri i njohur bëri publikisht një martesë të dytë. Fatos Nano u martua me Xhoanën, 21 vite më e re se ai. Ata u martuan në nëntor të 2002-shit. Çifti nuk ka fëmijë, përveç Klajd Nanos, fëmijë i Xhoanës nga martesa e parë.

Inva Mula dhe Pirro Çako. Të martuar që prej vitit 1987, Inva Mula dhe Pirro Çako i dhanë fund marrëdhënies së tyre pas 23 vitesh bashkë. Sipas dosjeve të divorcit, ata u ndanë në vitin 2007, por divorci përfundimar u realizua në vitin 2010. Prindër të një djali të lindur në Paris, Anthony, Pirro dhe Inva kanë deklaruar shpesh nëpër intervista se “nuk janë shokë, por ruajnë një raport të mirë me njëri-tjetrin”. Sot, Mula është e martuar me Hetem Ramadanin, me të cilin ka edhe një vajzë, Ninën, ndërsa Pirro është i dashuruar me një punonjëse të Gjykatës së Tiranës, 20 vite më të re.

Eneda Tarifa dhe Erjon Zaloshnja. Eneda Tarifa dhe Erjon Zaloshnja, një prej historive më jetëgjata mes artistëve shqiptarë, i dhanë fund marrëdhënies së tyre pas 18 vitesh bashkë. Lajmi i ndarjes qarkulloi për herë të parë në janar të 2018-s, i cili u konfirmua nga këngëtarja më pas. Ata janë prindër të një vajze, Arias.

Arbana Osmani dhe Ardit Kero. Duke qenë se historia e dashurisë e Arbana Osmanit dhe financierit Ardit Kero qëndroi për vite me radhë jashtë vëmendjen mediatike, edhe divorci i tyre kaloi në heshtje. Megjithatë sigurisht që bëri bujë në media, për shkak të jetëgjatësisë së martesës së tyre. Arbana dhe Kero, prindër të vogëlushin Jon, u ndanë pas 16 vitesh. Osmani është në një romancë me regjisorin e “Dua të të bëj të lumtur”, Eduart Grishajn me të cilin tashme ka dhe një djalë, Dielli.

Jonida Maliqi dhe Gent Prizreni. Sot, kanë kaluar katër vite nga divorci i Jonida Maliqit me ish-partnerin, me të cilin ka një djalë, pas 17 vitesh bashkë, ndonëse lajmi u bë publik vetëm dy vite më parë pasi dyshja mbante një profil të ulët publik. Këngëtarja bëri publike romancën me aktorin e humorit Romeo Veshaj e cila zgjati shumë pak.

Saimir Çili dhe Suela Kalaja Divorci i këngëtarit Saimir Çili me ish-bashkëshorten Suela Kalaja, pas 19 vitesh bashkë, bëri jo pak bujë mediatike, sidomos pas denoncimit të Çilit se “Kalaja kishte ushtruar dhunë mbi të” në vitin 2016. E ftuar në “Ftesë në Pesë”, ku ndër të tjera tregoi edhe për rrugëtimin e vajzës së tyre 10-vjeçare në “The Voice Kids”, Suela theksoi se divorci i tyre nuk qe aq i tensionuar sa u përshkrua nëpër portale. Në vijim, ajo shtoi se dyshja ruan marrëdhënie të mira për shkak të vajzës, Iseas.

Soni Malaj dhe Mirko Luccarelli Historia që nisi në “Dancing with the Stars”, përfundoi në vitin 2015, katër vite pas martesës. Mirko dhe Soni, prindër të një vajze, Anna, ruajnë raporte të mira pas divorcit. Soni dhe Anna jetojnë në Tiranë, ndërsa Mirko në Itali. Soni ka bere publike tashme marrëdhënien prej 5 vitesh me biznesmenin e quajtur Klevi, marrëdhënie që vazhdon edhe sot.

Nora Istrefi dhe Robert Berisha Bashkë që prej 2006-s, Nora Istrefi dhe Robert Berisha i dhanë fundit historisë së tyre të dashurisë. Përmes një postimi në Instagram, ishte Roberti bëri publik lajmin që prej kohësh aludohej në media, ndonëse u mohua disa herë prej tyre. Këngëtarët kurorëzuan historinë e tyre të dashurisë në shtator të vitit 2014. Prinderit e Renee kanë treguar në çdo rast se gëzojnë marrëdhënie mjaft të mira pas ndarjes.