Katër muajit e parë të këtij viti u tronditën nga 13 ngjarje kriminale, shumica prej tyre ende pa autor.
Më 27 janar, një krim i dyfishtë u regjistrua në Gramsh, ky një 80-vjeçar vrau gruan dhe vëllanë e tij. Autori, Xhevit Sinani ekzekutoi me sëpatë bashkëshorten e tij, Zegjine Sinani 74 vjeç dhe të vëllanë, Shaqir Sinani 73 vjeç për motive që deri më sot nuk janë zbardhur.
Më 17 shkurt, një ngjarje e rëndë u regjistua në Maliq të Korçës. Në pranga përfundoi Shefki Bylykbashi, 77 vjeç, i cili me sende të forta qëlloi të birin në kokë, Hamdi Bylykbashi, 50 vjeç duke e lënë të vdekur.
Lefter Brisku, ishte viktima e radhës në Kuçovë. Ngjarja ndodhi mesnatën e 25 shkurtit, kur 54 vjeçari Lefter Brisku tentoi të hynte në ambientet e pronës së familjes Shushari për të vjedhur dy pula. Në atë moment është kapur nga i riu Bjorni Shushari, i cili e ka dhunuar brutalisht duke i shkaktuar edhe vdekjen.
Marsi po ashtu pati një bilanc tragjik, sa i përket ngjarjeve kriminale, ku u vranë 8 persona dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur.
Ky muaj nisi me masakrën e Dan Hutrës, i cili vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera. Në fillim plagosi me thikë Marjana Gurakuqin, duke e akuzuar për një shumë parash. Më pas hyri në banesën e ish bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, në Paskuqan, ku vrau vajzën e familjes Mevlute Hysa, dhe nusen Hasime Dafku. Nga aty Hutra u nis për Kamëz dhe vrau motrën e Vladimir Kurtit, me të cilin kishte nisur probleme në qelinë e burgut. Plani i tij ishte të vriste edhe një të katërt, por u kap disa orë më vonë në Sharr.
Mbrëmja e vonë e 12 marsit shënoi një tjetër ngjarje kriminale, ku viktimë mbeti, Mimoza Paja. Kjo e fundit u vra në sytë e mbesës 10 vjeçare, teksa shërbente kafen në një lokal në Don Bosko. Atentati dyshohet se kishte shënjestër Fatjon Muratin, që disa orë para ishte larguar në Prishtinë e prej aty në Turqi. Ai ishte në “arrest shtëpie” nën akuzën e trafikimit të armëve, të cilën e theu. Ngjarja dyshohet për konflikte me grupin e Ervis Martinajt.
Nuk kaloi shumë dhe kryeqyteti u trondit sërish. Sapo kishte hyrë data e 27 marsit, persona ende të paidentifikuar dhe që lëviznin me një Range Rover, qëlluan me breshëri automatiku ndaj godinës së një televizioni kombëtar. Për pasojë humbi jetën roja i sigurisë Pal Kola, 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve). Policia akoma është larg zbardhjes së ngjarjes së rëndë.
Në Kavajë, Sali Rexha dhe Armand Gosa vranë njëri-tjetrin për “pse me sheh” dhe “O kuksian ik nga këtu”. Ngjarja ndodhi më 29 mars. Armand Gosa e goditi me thikë, ndërsa Rexha e qëlloi me armë. Si pasojë e plagëve që i shkaktuan njëri-tjetrit, të dy humbën jetën.
Edhe në Prill, u shënuan disa ngjarje kriminale. Më 8 prill një 43-vjeçar vrau me armë zjarri kunatën e tij dhe më pas vrau edhe veten. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit në Shkozë të Tiranës, ndërsa 43-vjeçari dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor. Migena Sinani, 37 vjeç, dhe Roland Sinani, 43 vjeç, ishin dy viktimat.
Më 18 prill, një 20-vjeçar humbi jetën në kryeqytet, pranë gjimnazit “Partizani”. Stiven Toshkesi u qëllua me hanxhar, pas një sherri. Të arrestuar për këtë ngjarje janë Ensi Maze dhe Aksel Hoxhaj.
Më 19 prill, Biznesmeni dhe eksponenti politik, Ardian Nikulaj u ekzekutua në rlokalin e tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Atentatori i kamufluar me skafander motori, maskë covid dhe një jelek fostorishent, hyri brenda lokalit dhe e qëlloi 50-vjeçarin për vdekje me 7 plumba. Edhe pse hetimet janë shtrirë në disa qytete, ende nuk ka asnjë autor të dyshuar lidhur me këtë ngjarje që tronditi vendin.