Një 62-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë, pasi tentoi që të abuzonte seksualisht me një të moshuar. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Psar të Kolonjës, ku 62-vjeçari Ali Pinjolli u fut nga dritarja e shtëpisë dhe tentoi që të abuzonte me një 75-vjeçarje.

Kjo e fundit, në rrëfimin e saj në Policinë e Shtetit tregon se ishte zgjuar nga gjumi në orën 2.30 të mëngjesit për shkak se kishte dëgjuar një zhurmë. Ishte dritarja që theu 62-vjeçari për t’u futur në dhomën e saj. Sapo ka kuptuar se kush ishte personi që iu fut në dhomë, ajo i ka rikujtuar se ishte nipi i bashkëshortit të saj dhe i kërkoi që të dilte jashtë.

Më pas, e moshuara tregon me detaje tmerrin që kaloi derisa kishte mundur që të nxirrte jashtë dhomës së saj agresorin. Sapo, Pinjolli ka dalë, ajo njoftoi Policinë duke raportuar menjëherë rastin.

“Ai u fut nga dritarja në orën 2:30 të natës, kur unë isha në gjumë. Më theu dritaren e dhomës së gjumit. Kishte tentuar të futej nga dritarja tjetër e shtëpisë, por nuk ia doli dot që aty dhe hyri nga dhoma e gjumit. Unë isha në gjumë, u tmerrova se bëri zhurmë të madhe kur u thye xhami. Unë u ngrita dhe ç’të shihja një njeri që rri përpara meje në 2:30 të natës. Kur e shoh ai ishte djali i kunatit, e kemi nipin e shtëpisë. Nuk u besoja syve.

Ai thërriste, më thoshte fjalë të pista, tentoi të më kapë por unë gjeta fuqinë, e kam kundërshtuar, kam luftuar e vetme. I thosha të kemi djalin e shtëpisë, por ai nuk dëgjonte. E sulmova me sa fuqi kisha ta ndaloja. E nxora jashtë dhe në atë moment marr motrën në telefon, më pas motra lajmëron vëllanë dhe ky i fundit vjen në shtëpi. Ia shpjegoj situatën dhe më pas lajmëruam policinë. Unë jetoj vetëm, nuk kam njeri në shtëpi, vajzat i kam të martuara. Përjetova tmerrin,”-tregoi ajo.

Tashmë, Ali Pinjolli u arrestua dhe pritet që të gjykohet për veprimet e tij të turpshme ndaj të moshuarës.