Kriza diplomatike në kufirin ruso-ukrainas po përshkallëzohet, me sirenat e luftës që tingëllojnë edhe më fort dhe zhvillimet e fundit flasin për një shpërthim të fuqishëm në Donetsk. Situata në pjesën lindore të Ukrainës sinjalizon fillimin e një konflikti: zona po evakuohet, gratë dhe fëmijët po largohen, qytetarët po nxitojnë të ikin për siguri.
Në një atmosferë veçanërisht të tensionuar, presidenti amerikan Joe Biden do të informojë për krizën ukrainase sonte (22.00 me orën shqiptare), siç njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Autoritetet separatiste të “demokracisë” së Donetskut njoftuan se një makinë shpërtheu pranë një ndërtese qeveritare në qytetin me të njëjtin emër. Një korrespondent i agjencisë ruse Sputnik raportoi se shpërthimi ndodhi disa dhjetëra metra larg ndërtesës.
Nga burime zyrtare nuk ka raportime për viktima, por agjencia e lajmeve Interfax raportoi se nuk ka të lënduar. Sipas agjencisë Tass, një makinë ka shpërthyer në parkingun e ndërtesës.
Incidentet vijojnë me ritme shqetësuese, ndërsa pak orë më parë shërbimi amerikan tregoi se sa janë shtuar forcat ruse në kufirin me Ukrainën, ndërsa u duk se në zonat e diskutueshme ngritën një spital dhe një urë për t’u përgatitur.
Situata në Ukrainën lindore të kujton një zonë lufte, me Donetskun të evakuuar nga frika. Rusia ka shumëfishuar forcat e saj dhe Perëndimi po dërgon mesazhe të vazhdueshme de-përshkallëzimi.