Breshëri kallashnikovi janë regjistruar në mesnatë drejt godinës së Top Channel, afër studiove të Big Brother. Të shtënat me armë i morën jetën rojës së godinës, Pal Kola, 60 vjeç.

Gazeta Jonë ka mësuar se roja i sigurisë ka qenë duke u ngrohur pranë një ngrohëse që ka pasur brenda kabinës në momentet që është qëlluar me breshëri plumbash. 60-vjeçari ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Burime bëjnë me dije se një automjet është gjetur nga policia në autostradë duke u djegur, dyshohet e autorëve.

Gazeta Jonë mëson se mjeti i përdorur nga autorët ishte tip ‘Range Rover’, me targa të vjedhura. Mjeti u gjet i shkrumbuar në Golem të Kavajës. Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 25 gëzhoja kallashnikovi.

Mjaftoi një prej tyre që të linte të vdekur në vend, 60-vjeçarin Pal Kola, i cili mori një plumb në trup. Ende nuk dihet se çfarë motivi mund të fshihet pas këtij sulmi të rëndë ndaj televizonit Top Channel.

REAGIMI POLICISE

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).

Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve.