Nga Lutfi Dervishi

Njeriu i ri nuk mendon si ta bëj jetën e tij/saj më të mirë, por nuk e zë gjumi për jetën që bën tjetri.

Njeriu i ri nuk sheh hallin e tij, por vë lupën te puna, halli dhe familja e tjetrit.

Njeriu i ri nuk ka kohë të merret me telashet e veta, por ka gjithë kohën e botës për t’u marrë me jetën e tjetrit

Njeriu u ri nuk ka lot për hallet e veta, por vë kujën për hallin e tjetrit.

Njeriu i ri nuk e di se çfarë ndodh në shtëpinë e tij, por ama ka inventarin e plotë të shtëpisë së tjetrit.

Njeriu i ri nuk e di mirë shqipen, por kjo nuk e pengon të japë leksione se si duhet jetuar.

Njeriu i ri nuk ka kohë të lexojë një libër, por ka kohë pa fund të shkruajë traktate mbi jetën e tjetrit/tjetrës në komente anonime.

Njeriu i ri mund të mos ketë buke për barkun e tij, por është i gatshëm të vjellë çdo orë në rrjete sociale.

Njeriu i ri nuk mban mend datën e lindjes së prindërve, por e di saktësisht se kur e ka blerë fqinji qilimin.

Njeriu i ri nuk di si të zgjidhë një problem të thjeshtë, por është ekspert në analizën e të gjitha vendimeve që të tjerët marrin për jetën e tyre.

Njeriu i ri nuk shkon te doktori për dhimbjen e kokës, por nuk përton të jape receta për gjithë të tjerët.

Njeriu i ri nuk i mban mend ëndrrat e tij, por është i bindur që ëndrrat e tjetrit janë të pamundura.

Njeriu i ri nuk e sheh veten në pasqyrë, por sheh çdo detaj të grimit në fytyren e tjetrit.

Njeriu i ri nuk ka emër, është anonim i abonuar te puna e tjetrit

Njeriu i ri shpif aq shumë sa nuk ka kohë të skuqet.

Njeriu i ri mund të jetë në punë, mund të jetë pa punë, por është gjithmonë i gatshëm për t’u marrë me punën e tjetrit.