62-vjeçari Ramiz Muçollari plagosi gruan dhe djalin në Maliq mbrëmjen e së premtes. Pas kësaj, ai qëlloi edhe ndaj policisë dhe që prej mbrëmë është ngujuar në banesë.

“Siç më thanë ata që janë më afër kishte goditur të shoqen me thikë, të birin me qytë të armës së tij. Pastaj filluan armët”, tha një fqinj.

Fqinjët e tij kanë folur për mediat ku kanë treguar se ai ka qenë i qetë. Sipas tyre, 62-vjeçari ka pasur edhe më parë shqetësime mendore. Shkak për këtë, sipas tyre, janë problemet që kishte së fundmi me të birin.

“Ka qenë shumë i qetë. Ka pasur shqetësime mendore më përpara, por po bën 6-7 vjet përpara. Tani ishte mirë e bukur. Shqetësimi i fundit ka qenë tani në fund fare, nuk e di çfarë ka pasur me të birin. Unë s’mund të rri me të, por siç llafos njerëzia, lozte kumar, drogë, nuk e di. Shqetësimet i ka pasur nga i biri”, u shpreh fqinji, i cili pohoi se ai ka pasur marrëdhënie shumë të mira me të gjitha banorët.

“Nuk bënte shamatë, ka qenë njeri i qetë. Në lagjen tonë hera e parë që ka ndodhur diçka e tillë”, shtoi ai.

Një tjetër banor i zonës tregoi se ka dëgjuar të paktën 9 të shtëna.

“Zhurmë dëgjova. Një zhurmë teke, tre zhurma dyshe, një teke prapë. Më duket se qenë nja 9 (të shtëna). Gjatë natës nuk ka qëlluar. Unë isha larg në distancë, thashë se është ndonjë llamarinë”, tha fqinji.

Forcat RENEA po negociojnë për dorëzimin e 62-vjeçarit, por deri më tani ai nuk ka pranuar ta bëjë diçka të tillë.