Beatrix Ramosaj nuk e kupton se përse ka kaq shumë negativitet kundrejt saj. Në një lidhje live me Luana Vjollcën, në kuadër të projektit “Thuaje”, Beatrix ka folur për periudhën e vështirë që kaloi pas daljes nga Big Brother VIP.
“Kam qëndruar për 100 ditë e izoluar komplet pa asnjë informacion dhe kur del, nuk del normal. Nuk je në gjendje aq të mirë sa përpara. Ju e dini se sa traumatike ka qenë eksperienca për mua, më e rëndë se të tjerët dhe e kam përjetuar më shumë. Jam përballur me një negativitet shumë të madh, me komente nga më të këqijat.”, tha Trixa.
Duke iu referuar lidhjes me aktorin, Trixa tha se “nuk e kuptoj gjithë atë lloj negativiteti ndaj një personi që nuk ka bërë asgjë gabim”. Këngëtarja u ndal gjithashtu dhe te sulmet e rënda me të cilat janë përballur familjarët e saj gjatë kohës që ishte brenda shtëpisë së famshme.
“Ka njerëz që ndërgjegjësohen. Unë mendoj se e mira ka më shumë fuqi sesa e keqja. Nuk dua ta cilësoj e keqja, se mbase dhe ata që bullizojnë kanë kaluar një jetë të tmerrshme që kanë arritur në atë pikë. Besoj se e mira e bën ndryshimin kështu që shoh te vetja një pikë të fortë. Nuk e quaj gabim fare që vendosa të ndaj eksperiencën time dhe të ngrija zërin për diçka që është shumë e gabuar në këtë botë. Më vjen shumë keq që në vendin tonë, mediat dhe shumë emra të njohur kur shohin një fenomen të tillë, nuk kanë reaguar. U desh një emër shumë i madh, me influencë siç është mami i Rita Orës, që të fillonin dhe të flisnin të tjerët. Gjatë kohës që kam qenë brenda ishte e vështirë dhe për njerëzit e mi sepse janë ofenduar nmga shumë njerëz, është shumë e shëmtuar. Nuk e kuptoj atë lloj negativiteti, kundrejt një njeriu që nuk ka bërë asgjë gabim.”, rrëfeu ajo.