Jemi mësuar ta shikojmë gjithmonë në rolin e moderatores, por Rudina Magjistari daljen e parë në ekran e paska pasur si aktore. Po, e dimë që as nuk jua kishte marrë mendja, sepse Rudina nuk e ka thënë kurrë deri sot. Ajo e zbuloi detajin interesant gjatë një interviste në emisionin e sotëm.
Ishte e ftuara e saj, ish-Miss Kosova dhe moderatorja Eriona Sejdiu, e cila e pyeti nëse ka luajtur ndonjëherë në ndonjë film dhe Rudina e tregoi për herë të parë se ka marrë pjesë në filmin shqiptar “Ngjyrat e moshës”.
“Kam luajtur në një film, madje dalja ime e parë në ekran ka qenë në një film. Kam qenë figurante, por e kam një kujtim. Ka qenë filmi ‘Ngjyrat e moshës’.
Kam qenë në gjimnaz, s’kisha filluar të dilja në televizor akoma. Kur shoh atë film, shoh edhe veten si kam qenë, sepse dal disa herë në ekran. Janë kujtime të bukura”, -është shprehur me nostalgji moderatorja.
E pyetur pse nuk është shfaqur më në filma, Rudina u shpreh: “S’jam shfaqur më se ndoshta s’më është dhënë mundësia. Nuk është krijuar mundësia e duhur dhe roli i duhur që unë do të kisha dashur, kështu që s’e kam menduar gjatë.”
Duke pasur parasysh që Rudina nuk jep shpesh intervista, Eriona Sejdiu përfitoi nga rasti ta ngacmonte më tej duke e pyetur nëse do të luante në filma romantikë, ku do t’i duhej të jepte një puthje në ekran. Rudina e mori pyetjen me umor, megjithatë pranoi se nuk do të luante skena të tilla.