“Synimi i Serbisë mbetet të hakmerret ndaj Kosovës”. Këtë e thekson kryeministri Albin Kurti në një intervistë për median zviceriane “NZZ”, duke shtuar Perëndimi po tregohet shumë naiv me Beogradin zyrtar dhe nuk po e sheh qartë se është kthyer në një portë për ndikimin e Kinës dhe Rusisë në Europë.

Kurti thekson se Vuçiçi po u hedh hi syve atyre duke shitur një realitet se qëndron në kampin perëndimor, por në të vërtetë nuk ka hequr dorë nga Kosova.

“Vuçiç thjesht po mashtron Perëndimin. Elita që dominon vendin nuk ka hequr dorë kurrë nga projekti i Serbisë së Madhe. Thjesht quhet diçka ndryshe tani, domethënë ‘Bota Serbe’. Kjo do të thotë bashkim i të gjithë serbëve në një vend. Kjo do të nënkuptonte shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës”, tha kryeministri.

Kurti për median zvicerane përmend edhe armatosjen e rëndë të Serbisë nga Kina dhe Rusia, gjithashtu edhe porosinë miliarda dollarësh me avionë luftarake nga Franca. Kryeministri sinjalizon se kjo armatosje po bëhet në kuadër të hakmarrjes së mundshme, ndërsa sjell në vëmendje fjalët e Vuçiçit se vlerësoi veprimet e Azerbajxhanit për “kthimin në shtëpi” të Nagorno-Karabakut.

“Kjo është pikërisht ajo që Vuçiq dëshiron të bëjë me Kosovën. Ushtron edhe durim strategjik, por synimi mbetet hakmarrja. Ne duhet të jemi të përgatitur për këtë”, shtoi Kurti.

Kurti pyetet nëse kthimi i Donald Trump në presidencën amerikane përbën rrezik për Kosovën, duke u përgjigjur se Prishtina ka punuar mirë me presidentë nga të dyja palët.

Media zvicerane i rikujton dhe premtimet e vjetra të tij, por kryeministri thotë se nuk është në agjendë një bashkim i Kosovës dhe Shqipërisë. “Më mirë do të ishte anëtarësimi i Kosovës në NATO”, përfundon Kurti.